Trajneri i Dortmundit s’i frikohet Realit

  • A.P /
  • 27 May 2024 - 16:01
Trajneri i Dortmundit s’i frikohet Realit

Trajneri i Borussia Dortmundit, Edin Terzic, në një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s e ka kujtuar rrugëtimin e ekipit të tij drejt finales së Ligës së Kampionëve.

Tash, trajneri ambicioz e ka mendjen tek finalja e Wembleyt, respektivisht tek përballja me Real Madridin.

Ai insiston se nuk i frikësohet ekipit të Carlo Ancelottit pasi thotë se në një ndeshje të vetme kur përballet me një kundërshtar, Dortmundi mund ta mposht këdo që i del përpara.

“Jemi sjell vërtet mirë, duke e shikuar rrugën e bërë deri në finale. Do të përballemi me një skuadër vërtet të fortë, e cila e ka një eksperiencë të madhe në këtë garë. Por, e dimë se është një ndeshje dhe kështu, çdo gjë është e mundshme. Nëse do të përballeshim dhjetë herë me Real Madridin, ka mundësi që do të merrnim më shumë humbje sesa fitore. Por, në një ndeshje të vetme, për 90 minuta ose 120 minuta, jemi të aftë që ta mposhtim çdo kundërshtar në botë”, deklaroi Terzic.

Ai foli edhe rreth mungesës së eksperiencës së ekipit gjerman në Champions, duke insistuar se lojtarët me përvojë do të mundohen t’i menaxhojnë ata me më pak eksperiencë, në mënyrë që këta të fundit të bëjnë sa më pak gabime në këtë ndeshje të madhe dhe vendimtare.

Ndeshja mes Borussia Dortmundit dhe Real Madridit, finale e Ligës së Kampionëve, do të luhet më 1 qershor. 

(Kosova Sot Online)