
Asllani: I lumtur që e vesh fanellën e Interit

Kristjan Asllani ka folur në mikrofonin e “InterTv” pas fitores së Interit me rezultat 1:0 ndaj Sparta Pragës në udhëtim.
Mesfushori shqiptar është bërë pjesë e rëndësishme e ekipit të Simone Inzaghit, i cili e lavdëroi atë paraprakisht.
E mesfushori kreativ ndihet i lumtur me hapësirën që po i jepet dhe ndihet i lumtur dhe krenar që i mbron ngjyrat Zikaltër.
“E bëmë atë që duhej ta bënim. Na duhej koncentrim i madh. Mbi të gjitha në pjesën e parë, kur dominuam, ia dolëm mjaft mirë që t’i menaxhonim nisjet e tyre. Mungon ende diçka e vogël, e dimë se sa e rëndësishme është renditja”, tha fillimisht Asllani.
“Më bën mirë kjo vazhdimësi, më bëjnë mirë minutat që po më jepen për të luajtur, kam qëndruar shumë në bankinë. Jam i kënaqur që e vesh këtë fanellë dhe jam mjaft i fokusuar në çdo ndeshje. E rëndësishme ishte të fitonim sot, tash do të mendojmë për ndeshjen me Leccen. E dimë se sa i vështirë do të jetë ai udhëtim”, përfundoi Asllani.
Ai i kishte mbrëmë përballë shqiptarët tjerë, Ermal Krasniqi e Qazim Laçi.
I pari u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë, kurse i dyti luajti nga minuta e parë.
Asllani, nga ana e tij, luajti 70 minuta.
(Kosova Sot Online)