Ancelotti e lavdëron sulmin, ankohet në mbrojtje

  • A.P /
  • 23 January 2025 - 14:24
Ancelotti e lavdëron sulmin, ankohet në mbrojtje

Carlo Ancelotti ka folur mbrëmë pas fitores së thellë, 5:1 ndaj Salzburgut në Ligën e Kampionëve duke e përgëzuar ekipin për golat e shënuar dhe për triumfin.

Mirëpo, trajneri italian e shprehu një brengë, respektivisht për mbrojtjen, e cila në këtë edicion nuk është dhe aq stabile dhe e sigurt.

Sipas tij, suksesi i ekipit madrilen varet nga përkushtimi dhe organizimi i lojës që nga mbrojtja.

“E arritëm objektivin. Fituam dhe tentuam të luajmë një ndeshje të mirë. Në fillim ishim pak të dobët, por më pas e rregulluam lojën dhe gjithçka shkoi mirë. Natyrisht, cilësia e atyre që luajnë përpara nuk vihet në dyshim. Mundohemi të rregullojmë pjesën tjetër, sepse efikasiteti që kemi përpara është i pabesueshëm. Duhet të përmirësojmë repartet e tjera. Ndonjëherë bëjmë mirë, ndonjëherë më pak. Sidoqoftë, jemi në një formë të mirë”, deklaroi fillimisht “Don Carlo”.

“Nuk jam i zemëruar për golin e pësuar, mbrojtja funksionoi mirë. Rüdiger ishte shumë mirë sonte, Alaba u kthye, Asensio është në formë. Mbrojtja është një problem kolektiv. Nëse kemi angazhim kolektiv, do të kemi sukses dhe do të përfitojmë nga cilësia përpara”, shtoi trajneri italian.

“E vetmja gjë e sigurt është se duhet ta fitojmë ndeshjen e fundit të grupit dhe kjo nuk është e re për këtë klub. Mbappé është lider, siç e kanë thënë shokët e tij të skuadrës. Nuk kemi problem të shënojmë gola me këta lojtarë. E bëmë një ndeshje të mirë. Në nivel ofanziv kemi shumë kreativitet. Mendoj se duhet ta përmirësojmë punën mbrojtëse. Nuk do të kemi kurrë problem me shënimin e golave. Problemi është në mbrojtje”, përfundoi Ancelotti. 

(Kosova Sot Online)