
Neymar me komente të ashpra ndaj trajnerit

Ish-ylli i Barcelonës dhe PSG-së është rikthyer te klubi i tij i parë, Santos.
Neymar i është kundërpërgjigjur trajnerit të Al Hilal, Jorge Jesus, pasi ky i fundit kritikoi gjendjen fizike të brazilianit.
33-vjeçari ka kompletuar një rikthim emocional te Santos në Brazil, klubi ku filloi karrierën. Ai u rrit në akademinë e klubit dhe shënoi 136 gola në 136 ndeshje përpara se të transferohej te Barcelona në vitin 2013 për 57.1 milionë euro.
Gjatë katër sezoneve në ‘Camp Nou’, Neymar formoi një treshe sulmuese të frikshme me Lionel Messin dhe Luis Suarezin, e njohur si ‘MSN’, duke ndihmuar klubin katalanas të fitonte dy tituj të La Ligës dhe Ligën e Kampionëve. Ai realizoi 105 gola në 186 paraqitje me Barcelonën.
Megjithatë, në verën e vitit 2017, Neymar tronditi botën e futbollit kur u bë lojtari më i shtrenjtë në histori, duke kaluar te Paris Saint-Germain për 222 milionë euro, pasi klubi francez pagoi klauzolën e tij të lirimit.
Në gjashtë sezone me PSG-në, Neymar shënoi 118 gola në 173 ndeshje, duke fituar pesë tituj të Ligue 1, por pa arritur suksesin e madh në Ligën e Kampionëve.
Në vitin 2023, ai kaloi te Al Hilal për 90 milionë euro, por për shkak të dëmtimeve dhe problemeve të tjera, arriti të shënojë vetëm një gol në shtatë ndeshje për klubin saudit.
Në fund të janarit 2024, Al Hilal dhe Neymar ndërprenë kontratën me marrëveshje të ndërsjellë, duke i hapur rrugën rikthimit të tij te Santos.
Lëvizja e Neymar erdhi pas komenteve të trajnerit Jorge Jesus, i cili deklaroi se sulmuesi brazilian “nuk mund të performojë më në nivelin që jemi mësuar ta shohim”.
Por, gjatë një konference për shtyp pas rikthimit te Santos, Neymar iu përgjigj kritikave të trajnerit portugez, duke kundërshtuar mendimin e tij mbi gjendjen fizike:
“Jam gati për të luajtur. Kam pasur bazën e duhur stërvitore, por më duhen ndeshjet,” tha Neymar.
“Sigurisht që u mërzita shumë kur Jorge Jesus tha se nuk isha në të njëjtën gjendje si pjesa tjetër e skuadrës. Në stërvitje tregova se isha gati, se isha në të njëjtën formë si lojtarët e tjerë. Sidomos kur bënim stërvitje kolektive, unë isha ai që merrja vendimet dhe shënoja golat.”
“Nuk më pëlqen të flas për këtë, nuk dua të krijoj polemika, por ky është realiteti. Kur Jorge Jesus bëri atë deklaratë, e dija se kur të dilja në fushë, do të tregoja diçka ndryshe. Prandaj, le ta lëmë me kaq. Fusha flet vetë. Ajo është vendi i vetëm ku mund të mbrohem.”
(Kosova Sot Online)