
Shaqiri: Nuk pendohem për asnjë nga lëvizjet që kam bërë

Ylli i Baselit, Xherdan Shaqiri, ka deklaruar se nuk ndjen asnjë pendesë për largimin nga Bayern Munich në vitin 2015, duke lënë të kuptohet një kritikë të tërthortë ndaj trajnerit Pep Guardiola dhe duke përmendur suksesin e madh me Liverpoolin si dëshmi se zgjodhi rrugën e duhur.
Në një intervistë për ran.de, Shaqiri foli hapur për periudhën e vështirë që kaloi nën drejtimin e Guardiolës, i cili mori drejtimin e Bayernit vetëm një vit pas transferimit të tij në klub.
Mesfushori ofensiv u kufizua nga lëndimet dhe mungesa e minutave – duke qenë zëvendësues i papërdorur në 7 nga 16 ndeshjet e para të sezonit 2014/15 në Bundesligë. Kjo e shtyu atë që në janar 2015 të largohej nga kampionët gjermanë për t’u transferuar te Interi, për të vijuar më pas te Stoke City dhe Liverpooli, ku arriti të fitojë Ligën e Kampionëve në vitin 2019.
I pyetur nëse kishte qenë vendimi i duhur, Shaqiri u shpreh pa hezitim:
“Po, ishte vendimi i duhur. Nuk shikoj prapa dhe nuk pendohem për asnjë nga lëvizjet që kam bërë. Kam marrë çdo vendim me bindje të plotë dhe mendoj se karriera ime ka shkuar mirë”, tha ai.
Shaqiri shtoi se arritjet e tij pas largimit janë dëshmi e suksesit të zgjedhjes:
“Pas kohës sime te Bayern, fitova përsëri Championsin me Liverpoolin – kështu që nuk shkoi aq keq”, tha ai me humor.
(Kosova Sot Online)