E ardhmja e Neymar është sërish e pasigurt

  • A.P /
  • 28 October 2025 - 15:00
E ardhmja e Neymar është sërish e pasigurt

E ardhmja e Neymar Jr. është sërish e pasigurt. Në moshën 33-vjeçare, ylli brazilian ndodhet në një udhëkryq që mund të përcaktojë jo vetëm fazën përfundimtare të karrierës së tij, por edhe shanset për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror 2026.

Me kontratën e tij te Santos që po i afrohet skadimit, Neymar po peshon dy rrugë të mundshme: nënshkrimin e një zgjatjeje të shkurtër në Brazil ose pranimin e një oferte që do ta ribashkonte me Lionel Messin te Inter Miami.

Koha nuk është në anën e tij. Marrëveshja me Santos skadon në dhjetor, duke i lënë vetëm gjashtë muaj për ta bindur Carlo Ancelottin ta përfshijë në listën përfundimtare të Brazilit për Botërorin e ardhshëm.

Trajneri italian ka deklaruar se grupi që do të shpallet në mars ka shumë gjasa të jetë i njëjti që do të udhëtojë drejt turneut – që do të thotë se Neymar ka një afat shumë të shkurtër për të rikthyer formën dhe ritmin e duhur.

Që nga largimi nga Paris Saint-Germain drejt Al Hilal në vitin 2023, Neymar ka zhvilluar vetëm 21 ndeshje zyrtare. Në të kundërt, Messi – që iu bashkua Inter Miamit në të njëjtën verë – ka luajtur tashmë 73 ndeshje dhe ka shënuar mbi 70 gola për klubin nga Florida.

Sipas raportimeve të SPORT, ribashkimi Neymar–Messi “është një skenar i realizueshëm” në prag të vitit 2026. Inter Miami nuk e ka fshehur dëshirën për ta sjellë brazilianin në MLS, veçanërisht falë rregullit të Designated Player (DP), që u lejon klubeve të paguajnë disa lojtarë përtej kufirit të pagave të ligës.

Me rinovimin e Messit deri në vitin 2028, një vend DP është i zënë, por klubi mund të lirojë një tjetër pas pensionimit të mundshëm të Sergio Busquets dhe Jordi Alba, duke hapur rrugën për Neymarin.

Ardhja e fundit e Rodrigo De Paul, i cili do të bëhet lojtar i përhershëm në janar, tregon edhe një herë përkushtimin e David Beckham për të ndërtuar një skuadër të mbushur me yje, edhe nëse kjo kërkon të shtyhen kufijtë financiarë.

Alternativa tjetër për Neymarin është të zgjasë kontratën me Santos edhe për gjashtë muaj të tjerë. Edhe pse zërat që e lidhin me Inter Milan apo Napoli janë mohuar, qëndrimi në Brazil mund t’i japë atij stabilitet dhe ritëm të rregullt loje përpara grumbullimit me përfaqësuesen.

Megjithatë, për Ancelottin, ekipi ku luan nuk do të jetë faktori vendimtar:

“Neymar mund të luajë në nivelin më të lartë pa asnjë problem. Kur është në formë, ai ka cilësinë për të qenë në çdo ekip në botë,” – tha trajneri i Brazilit.

(Kosova Sot Online)