Superliga e Kosovës do të vazhdojë sot me tri ndeshje
Superliga e Kosovës do të vazhdojë sot me tri ndeshje të tjera të mesjavës, më saktësisht të xhiros së 11-të.
Dita e djeshme ishte e mysafirëve pasi Ballkani e mposhti Malishevën me rezultat të thellë, 5:0 në udhëtim, kurse Dukagjini e mundi Gjilanin po ashtu si mysafir, 2:0.
E sot prej orës 13:00 na presin tri ndeshje të tjera, që po ashtu pritet të jenë interesante.
Pa dyshim, dueli kryesor i kësaj xhiroje do të jetë ai mes Llapit dhe Prishtinës.
Llapjanët do të mundohen t’ia ndalin hovin ekipit kryeqytetas në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Nga ana tjetër, Bardhekaltrit vijnë nga një seri fantastike dhe do të mundohen ta vazhdojnë atë edhe pas udhëtimit aspak të lehtë që do ta kenë në Podujevë.
Fitoren sot e kërkon edhe kampionia aktuale, Drita, e cila e ka rikthyer formën solide dhe do të shkojë me optimizëm në Skenderaj ku e pret Drenica, e cila ka nevojë për këndellje pas rënies që e pati në xhirot e fundit.
Në fund, sot do të luajnë edhe Ferizaj dhe Prishtina e Re.
Kryeqytetasit kanë nevojë për pikë më shumë se kurrë më parë pasi kanë përfunduar në pozitën e fundit në tabelë.
Nga ana tjetër, ferizajasit e shohin këtë si një mundësi të artë për të marrë pikë dhe për ta përmirësuar imazhin në tabelë.
(Kosova Sot Online)
