Futbollisti 18-vjeçar vritet nga vëllau i tij

  • A.P /
  • 12 November 2025 - 09:30
Futbollisti 18-vjeçar vritet nga vëllau i tij

Futbolli brazilian është në zi pas vdekjes tragjike të talentit të ri Wanderson Brandão de Sousa, vetëm 18 vjeç, i cili humbi jetën nga një plumb që dyshohet se u shkrep aksidentalisht nga vëllai i tij më i vogël, ndërsa ky i fundit pastronte një armë.

Ngjarja ndodhi të hënën në shtëpinë e familjes në Aragoiania, në shtetin brazilian të Goiás. Sipas raportimeve lokale, policia po heton rrethanat e incidentit, ndërsa arma është sekuestruar për ekspertizë. Deri tani nuk dihet kujt i përkiste arma fatale.

Wanderson ishte mbrojtës i majtë i ekipit Aragoiania FC, dhe klubi, i tronditur nga humbja, pezulloi të gjitha aktivitetet sportive. Në një reagim në rrjetet sociale, klubi shkroi:

“Ngushëllimet tona për familjen dhe miqtë e Wanderson Brandão de Sousa. Zoti na ngushëlloftë të gjithëve.”

Banorët e qytetit kanë shprehur dhimbje dhe tronditje për ndarjen e parakohshme të futbollistit të ri, që konsiderohej një talent premtues, tashmë pjesë e ekipit të parë të klubit.

Vetëm pak javë më parë, një tjetër lojtar i ri brazilian, Antony Ylano, humbi jetën në një aksident rrugor tragjik, duke përplasur motorin e tij me një lopë që po kalonte rrugën.

Futbolli brazilian po përballet kështu me një tjetër humbje të rëndë, që ka lënë pas dhimbje, lot dhe shumë pikëpyetje.

(Kosova Sot Online)