Liverpool mbetet i përkushtuar ta mbajë Mohamed Salah në Anfield

  • A.P /
  • 10 December 2025 - 12:45
Liverpool mbetet i përkushtuar ta mbajë Mohamed Salah në Anfield

Liverpool mbetet i përkushtuar ta mbajë Mohamed Salah në Anfield deri në përfundim të kontratës së tij, pavarësisht spekulimeve gjithnjë e më të mëdha rreth së ardhmes së tij dhe përjashtimit surprizë nga lista e Ligës së Kampionëve për ndeshjen kundër Interit të martën në mbrëmje.

Vendimi për ta lënë Salah jashtë ekipit udhëtues është marrë bashkërisht nga trajneri Arne Slot dhe bordi i Liverpoolit, pas tensioneve të vazhdueshme mes lojtarit dhe stafit teknik.

Sulmuesi 33-vjeçar, i cili ka qenë zemra e suksesit të Liverpoolit për gati një dekadë, është gjendur në një pozitë të pazakontë, në periferi të skuadrës gjatë një prej periudhave më të trazuara të klubit në vitet e fundit.

Megjithatë, sipas The Athletic, gjigantët e Premierligës nuk kanë asnjë qëllim ta shesin Salahun tani dhe planifikojnë ta mbajnë deri në përfundim të kontratës së tij me klubin.

Pavarësisht dramës jashtë fushës, qëndrimi i Liverpoolit mbetet i palëkundur. Fenway Sports Group (FSG) nuk kanë aspak ndërmend ta shesin Salahun në janar dhe insistojnë që ai ta çojë deri në fund kontratën aktuale, e cila skadon në vitin 2027.

Drejtuesit thuhet se e shohin Salahun si thelbësor për ruajtjen e imazhit global dhe fuqisë komerciale të klubit, edhe pse roli i egjiptianit në fushë është bërë gjithnjë e më kompleks nën drejtimin e Slot.

Përjashtimi i tij vjen pas një serie mosmarrëveshjesh publike dhe private me Slot, që kulmuan me intervistën shpërthyese pas ndeshjes së barazuar 3-3 ndaj Leeds United, ku ai akuzoi figura të paidentifikuara në klub se “e kishin hedhur poshtë”.

Megjithatë, burime të brendshme thonë se drejtuesit e Liverpoolit mbeten të bashkuar pas Slot, duke u përpjekur njëkohësisht ta menaxhojnë situatën me Salah me diplomaci, për të shmangur destabilizimin edhe më të madh të dhomës së zhveshjes.

Përplasja e vazhdueshme ka ringjallur interesimin nga Liga Saudite, veçanërisht nga Al-Hilal, që janë të interesuar ta transferojnë sulmuesin egjiptian.

Nëse kjo situatë do të zgjidhet apo jo mbetet për t’u parë, por një gjë është e qartë: Liverpool nuk është gati ta lërë të largohet në heshtje lojtarin e tyre më ikonik të epokës moderne.


(Kosova Sot Online)