Arsenali ka marrë një fitore të jashtëzakonshme
Arsenali ka marrë një fitore të jashtëzakonshme me rezultat 3-0 në udhëtim ndaj Club Brugge, në ndeshjen e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
“Topçinjtë” treguan superioritet të plotë gjatë gjithë takimit dhe me këtë sukses ngjiten në kuotën e 18 pikëve, duke kryesuar bindshëm grupin.
Skuadra e Artetës e nisi ndeshjen më mirë dhe rrezikoi e para, kur Piero Hincapié goditi shtyllën në minutën e 22-të pas një gjuajtjeje nga distanca.
Vetëm tre minuta më pas, Arsenali e konkretizoi dominimin me golin e parë. Noni Madueke zhbllokoi rezultatin me një goditje të fuqishme jashtë zonës, e cila u përplas në shtyllën e djathtë dhe përfundoi në rrjetë.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal, ndërsa Arsenali e nisi pjesën e dytë edhe më fort. Në minutën e 47-të, Madueke shënoi golin e dytë personal dhe të ekipit, kësaj radhe me kokë, pas një asistimi të Zubimendit dhe një ndërhyrjeje të pasigurt të portierit belg.
Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 56-të, Gabriel Martinelli vulosi fitoren me një goditje të fuqishme në këndin e sipërm të djathtë, duke e dërguar rezultatin në 3-0.
Pas këtij triumfi, Arsenali konfirmon formën e tij të shkëlqyer dhe pozicionohet qartë si lider i grupit, duke treguar ambicie të larta për fazat e mëtejshme të Ligës së Kampionëve.
(Kosova Sot Online)
