Momenti kritik: Aeroplanët amerikanë dhe rusë gati sa nuk u përplasën në ajër

  • E.K /
  • 31 August 2020 - 08:52
Momenti kritik: Aeroplanët amerikanë dhe rusë gati sa nuk u përplasën në ajër

Ushtria amerikane ka akuzuar homologët rusë për manovra joprofesionale të fluturimit në ajër që kanë rrezikuar deri përplasjen dhe jetën e pilotëve të të dyja palëve.

Sipas Pentagonit, incidenti u shënua të premten teksa aeroplani bombardues “B-52” i palës amerikane po kryente lëvizje rutinë në hapësirën ndërkombëtare mbi Detin e Zi.

Një avion luftarak rus u filmua duke u afruar rrezikshëm në krahun e majtë të bombarduesit, dhe pas kontaktit vizual, çau ajrin përpara me shpejtësi vetëm 30 metra nga hunda e mjetit amerikan.

Në njoftimin zyrtar, Pengatoni sqaroi se disa këto lëvizje jostandarde krijuan turbulenca për pilotët e vet dhe kufizuan manovrueshmërinë e aeroplanit.

“Veprime të tilla rritin potencialin për përplasje në ajër, janë të panevojshme dhe nuk përputhen me rregullat e fluturimit ndërkombëtar. Edhe pse avionët rusë po vepronin në hapësirën ndërkombëtare, ata u bënë rrezik për sigurinë e mjeteve,” – informoi komanda e forcave të armatosura amerikane për Europën dhe Afrikën.

Avioni rus tip “Su-27” është pjesë e kontingjentit të avionëve të rëndë luftarakë që Rusia ka stacionuar në gadishullin e Krimesë për të interceptuar mjetet fluturuese të NATO-s afër hapësirës ajrore të territorit të pretenduar nga Kremlini.

Ndërkohë gjashtë avionë “B-52” të Amerikës fluturuan të premten në shenjë solidariteti në qiejt e 30 vendeve të NATO-s të shoqëruar nga aeroplanët ushtarakë të shteteve anëtare.

Sekretari i Përgjithshëm i aleancës deklaroi se misioni është të tregohet uniteti dhe epërsia ushtarake kundër agresionit, për parandalimin e konflikteve dhe për ruajtjen e paqes.

Incidenti i fundit ndodh në kohë tensionesh mes SHBA-së dhe Rusisë dhe kur Uashingtoni ka qortuar vendet anëtare për borxhe të mëdha ndaj NATO’s.

Presidenti Donald Trump ka kërkuar nga shtetet e aleancës të përmbushin objektivin e investimit 2 për qind të prodhimit të tyre vjetor për mbrojtjen, ndërsa në muajin korrik Pentagoni tërhoqi mijëra trupa amerikane nga Gjermania, vend që sipas Shtëpisë së Bardhë, vijon po ashtu të mos paguajë pjesën që i takon në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior.

(Kosova Sot Online)