Më i mirë se O’Connell? Ambasadori britanik në Turkmenistan këndon këngë popullore

  • E.K /
  • 18 December 2020 - 10:14
Më i mirë se O’Connell? Ambasadori britanik në Turkmenistan këndon këngë popullore

Duket se ambasadorët britanikë përshtaten shumë mirë në mjedisin kulturor në shtetet ku e përfaqësojnë vendin e tyre.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Turkmenistan, Hugh Philpott, e gëzon simpatinë e shumë njerëzve në shtetin e Azisë Qendrore. Ai ka një video në YouTube duke kënduar një këngë popullore në gjuhën e vendësve, ndërsa në prapavijë shihen bukuritë natyrore të Turkmenistanit.

Ai e përshkruan veten si këngëtar amator dhe diplomat dhe tha se për të kënduar ka marrë ftesë nga agjencia e lajmeve Orient TM, shkruan Free Europe.

Sidoqoftë, një postim i tij në rrjetet sociale mund të mos i ketë pëlqyer qeverisë së Turkmenistanit, pasi ka thënë se ka nevojë të rikuperohet nga Covidi.

Nuk është e qartë se kur mund të jetë infektuar me koronavirus ambasadori Philpott, por postimi i tij bie ndesh me të dhënat zyrtare të institucioneve turkmene, të cilat nuk kanë raportuar asnjë rast të koronavirusit.

Ekspertët shëndetësorë besojnë se nuk është e mundur që një shtet me gjashtë milionë banorë, i ndodhur në kufi me Iranin – shtetin më të prekur nga pandemia në Lindjen e Mesme – të mos ketë asnjë rast të koronavirusit.

Ndryshe, kujtojmë se ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, gëzonte simpati të madhe popullore për shkak të aftësisë për ta folur rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe qëndrimeve të tija të prera kundër krimit dhe korrupsionit. Sidoqoftë, ai nuk ka qenë i dalluar si këngëtar i muzikës popullore, si ambasadori britanik në Turkmenistan.

(Kosova Sot Online)