Flet QKUK-ja: Polici që u plagos në Veternik është liruar në shtëpi

  • E.K /
  • 18 December 2020 - 09:50
Flet QKUK-ja: Polici që u plagos në Veternik është liruar në shtëpi

Një polic ka mbetur i plagosur në mëngjesin e sotëm, pas një përleshjeje me armë zjarri me disa hajna që po tentonin të kryenin një grabitje në një bankomat në Prishtinë. Detaje për gjendjen e tij shëndetësore ka dhënë Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu,  ka thënë  se polici është liruar për në shtëpi pas trajtimit mjekësor.

“Ka marrë ndihmën në emergjencë dhe pas ndihmës mjekësore është liruar në shtëpi”, ka thënë Fazliu për Express.

Ndryshe, detaje rreth këtij rasti ka dhënë edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në një lidhje direkte në emision.

Hoxha ka thënë se polici në fjalë është plagosur në këmbë.

Si ka ndodhur rasti ka treguar edhe Policia Rajonale e Prishtinës.

“Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë.

Me të marrë informatën, policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit, për t’iu shmangur kapjes nga policia, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe për pasojë kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Aktualisht policia është në vendin e ngjarjes dhe po i kryen ekzaminimet e nevojshme si dhe po i ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar me fokus identifikimin e të dyshuarve, lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë zëdhënësi i PK-së në Prishtinë, Agron Borovci.

Momentalisht rruga drejt Veternikut është bllokuar dhe forca të shumta të policisë janë parë në atë pjesë.

(Kosova Sot Online)