Intervistë për 'Kosova Sot' me këngëtaren Vjollca Luka: 'Nuk e teproj asnjehërë, por as murgeshë s'jam, jam artiste' (Foto)

  • 03 January 2019 - 17:03
Intervistë për 'Kosova Sot' me këngëtaren Vjollca Luka: 'Nuk e teproj asnjehërë, por as murgeshë s'jam, jam artiste' (Foto)

“Dalë në skenë për të kënaqur spektatorin me atë që e bëjë më së miri këndimin, interpretimin dhe sjelljen artistike në skenë. Është e vërtetë që paraqitja e jashtme është e rëndësishme, sepse kur je në skenë duhet të jesh e kompletuar në sensin artistik pa qenë e nevojshme të provokosh  me sjellje, por veshja sigurisht herë pas here duhet të jetë më e veçantë sepse ne jemi në qendër të vëmendjes, po nëse dikush i merrë për provokim ato që thashë më lartë, pak rëndësi ka, të paktën për mua, unë nuk e teproj asnjehërë, por as murgeshë s'jam, jam artiste”, thotë në intervistën për “Kosova Sot”, këngëtarja shkodrane, Vjollca Luka

Image

Këngëtarja e njohur shqiptare Vjollca Luka, e nisi ëndrrën e saj për muzikë në vendlindjen e saj Shkodër, për t’u bërë sot një ndër emrat më të respektuar të muzikës moderne popullore.

Tash e sa vite ajo së bashku me bashkëshortin Gjovani Gjoni, poashtu këngëtar, jetën e ndajnë në mes të Amerikës dhe Evropës.

Ndër vite Vjollca ka publikuar shumë këngë, disa prej të cilave u bënë dhe hite, përmendim këtu:"Ty të kujtoj", "Do të vish", "Flutura", "Më prit", "Bashkëjetesa" në bashkëpunim me Gjovanin,  "Nuk jam pishman", e shumë të tjera që atë e bëjn% shumë të dashur për publikun.

Në një Intervistë për gazetën "Kosova Sot", për numrin festiv të Vitit të Ri 2019, Vjollca Luka përgjigjet në shumë pyetje, të cilat ju ftoj t'i lexoni në vijim.

 

Image

“Kosova Sot”:Karrierën e filluat në Shkodër për tu bërë artiste e pëlqyer gjithandej trojeve shqiptare, si ishin këto vite për Vjollcën, dhe sa ju ka ndihmuar Gjovani në këtë rrugë, kur që të dy e  ndani të njëjtin profesion?

 Vjollca Luka: Karrierën time e kam filluar shumë e vogël në festivalet e fëmijëve, e kam nisur në Shkodër, ku edhe kam përfunduar liceun artistik “Preng Jakova“ në drejtimin për opera. Nuk mund ti përshkruaj vitet e mija në skenë përmes një pyetjeje, por mund të them që kam kujtime shumë të bukura ndër vite. Gjovani më mbështet shumë, poashtu edhe unë atë, kuptohemi shumë mirë sepse ndajmë të njëjtin profesion.

 

Image

“Kosova Sot”:Gjatë karrierës, keni realizuar shumë këngë, por cilat mbetën këngët më të dashura për ty, që ndoshta edhe në mbrëmje muzikore i këndon më shumë se njëherë?

Vjollca Luka: Është e vërtetë që kam pasur disa këngë që janë bërë hite asokohe. Mendoj se ato kënge që publiku më identifikon janë edhe për mua më të veçanta, duke filluar nga kënga “Ty të kujtoj”, tutje duke pasuar me hitin tim të viteve 1999-2000 ”Do të vish“, pastaj më vonë balada shumë e dashur “Flutura”, sigurisht edhe këngët shkodrane, me të cilat edhe kam filluar gjithçka.

Image

“Kosova Sot”:Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Vjollca Luka: Për fëmijërinë, kam nostalgji të përzier me dashuri dhe vështirësi, gjithashtu jam rritur jetime, babai ka ndërruar jetë në moshë shumë të re, unë kam qenë 2-3 vjeçare ,jemi rritur me shumë mundime unë me dy vëllezërit e mi dhe me motrën, edhe pse na kanë munguar shumë gjëra materiale, dashuria që na ka dhuruar mami ka qenë me shumicë, jam shumë krenare për të, shpresoj dhe përpiqem përditë edhe unë ta bëj krenare atë, sepse e meriton me shumë se askush.

Image

“Kosova Sot”:A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Vjollca Luka: Sigurisht që më ka ndodhur, aty ku nuk e gjej vetën as që e marrë mundimin.

Image

“Kosova Sot”:Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtare të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtare e pëlqyer sot pa provokime?

Vjollca Luka:Provokim?Artisti, ose më saktë unë po flas për vetën time, dalë në skenë për të kënaqur spektatorin me atë që e bëjë më së miri këndimin, interpretimin dhe sjelljen artistike në skenë. Është e vërtetë që paraqitja e jashtme është e rëndësishme, sepse kur je në skenë duhet të jesh e kompletuar në sensin artistik pa qenë e nevojshme të provokosh  me sjellje, por veshja sigurisht herë pas here duhet të jetë më e veçantë sepse ne jemi në qendër të vëmendjes, po nëse dikush i merrë për provokim ato që thashë më lartë, pak rëndësi ka, të paktën për mua, unë nuk e teproj asnjehërë, por as murgeshë s'jam, jam artiste.

Image

“Kosova Sot”:A e ka trashëguar ndonjëri nga fëmijët talentin e prindërve artiste për të kënduar?

Vjollca Luka: Të dyja vajzat kanë vesh muzike dhe zë të mrekullueshëm, thjeshtë kam zgjedhur që ti shkollojmë  në drejtime më të sigurta dhe afatgjate. Le të mbetet muzika nëse ato dëshirojnë hobi.

Image

“Kosova Sot”:A keni planifikuar ndonjë këngë të re apo album për vitin që po na vjen?

Vjollca Luka:Në emisionet e Vitit të Ri, do të jem prezente me disa popturi, derisa këngë të reja pritet të lansohen gjatë vitit 2019…

Image

“Kosova Sot”:Ku do t'ju gjejë nata e Vitit të Ri, në gjirin familjar apo në ndonjë koncert?

Vjollca Luka: Gjatë festave të fundvitit do të jem në Amerikë dhe Evropë, andej do e presim ndërrimin e viteve.

Image

“Kosova Sot”: Cili do të ishte urimi i juaj për shqiptarët, me rastin e Vitit të Ri 2019?

 

Vjollca Luka: Urimi im është si çdo vit, Zoti e bëftë mirë për shqiptarët  kudo që ndodhën. Gëzuar vitin e ri 2019 , fat, begati, e mbi të gjitha shëndet në çdo familje brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. GËZUAR!

Intervistoi:Armend Preteni

Image

 

(Kosova Sot)