Besiana: Me artistët më të mirë të kombit pata fatin të jem pjesë e pothuajse çdo manifestimi të mbajtur në Tuz

  • A.P /
  • 26 August 2020 - 19:05
Besiana: Me artistët më të mirë të kombit pata fatin të jem pjesë e pothuajse çdo manifestimi të mbajtur në Tuz

Sopranoja e njohur shqiptare Besiana Mehmedi përmes llogarisë së saj sociale ka shprehur respektin e saj ndaj komunës së Tuzit, ku nga viti 2013 bashkë me artistët më të mirë të kombit ishte pjesë e pothuajse çdo manifestimi të mbajtur në mesin e shqiptarëve. Për më tepër ky qytet i ngjan me Uskanën pasi ka pothuajse të njejtin fat historik, shkruan gazeta "Kosova Sot Online".

Ky është postimi i i plotë:

Nga viti 2013, bashkë me artistët më të mirë të kombit pata fatin të jem pjesë e pothuajse çdo manifestimi të mbajtur në Tuz. Ky qytet më ngjan me Uskanën sepse ka pothuajse të njejtin fat historik. Këtë vend e bëjnë të veçantë njerëzit e mrekullueshëm që ruajnë shqiptarizmin e pastër në çdo pore jete. Aktivitetet e nëntorit, përkujtimi i kryengritjes së prillit apo përurimi i muzeut të Dedë Gjon Lulit në gusht të vitit të kaluar janë vetëm disa nga manifestimet e organizuara në mënyrë madhështore.

Image

Prezantimi para malësorëve qoftë si soliste apo moderatore programi është emocion i veçantë! Aty ndjen duartrokitjet dhe dashurinë e sinqertë që është shpërblimi më i madh për një artist e që vjen nga shpirti i pastër i çdo malësori. Takimet me njerëzit e gjakut tonë atje të bindin se modernizimi i egër i kohëve të fundit nuk ka arritur të transformojë asgjë madje po të duam të njohim shqiptarin e vërtetë, familjen e pastër ku gjen traditën, mikëpritjen, veshjen, këngën, dashurinë e vuajtjen nisu në Malësi. Malësori është shqiptar që vdes për kombin, gjuhën, flamurin. Këtë e dëshmuan historikisht dhe po e dëshmojnë me daljen e përbashkët për zgjedhjet që do të mbahen së shpejti. Si çdoherë me vetëdije të lartë kombëtare do të dinë të vulosin fitoren e madhe me maksimalizimin e votës shqiptare që e sjellë bashkimi!
Çdo shqiptar me apo pa të drejtë vote është me ty Malësi! Ju priftë e mbara malësorë!

Image

(Kosova Sot Online)