Tani akuzohet edhe për mashtrim: Fjolla Morina nuk është shtatzënë, gënjeu për t’i shpëtuar burgut

  • G.G /
  • 22 September 2020 - 14:58
Tani akuzohet edhe për mashtrim: Fjolla Morina nuk është shtatzënë, gënjeu për t’i shpëtuar burgut

Fjolla Morina i është nënshtruar një rikontrolli në maternitetin e Kukësit dhe ka rezultuar se nuk është shtatzënë. Këngëtarja kishte menduar që të përdorte shtatzëninë si pretekst për t’i shpëtuar masës “arrest me burg” për akuzën që rëndon mbi të “Trafikim i armëve dhe municioneve”, pasi u kap me dy armë në makinë dhe 23 fishekë.

Mëngjesin e sotëm këngëtarja do mësonte masën e sigurisë dhe Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për të. Por avokatja e saj, Aurora Guska, kërkoi lehtësim të masës së sigurisë me pretekstin se këngëtarja është shtatzënë dhe për këtë arsye seanca gjyqësore u shty për në orën 13:00 e më pas për në 13:30. Prokuroria kërkoi që Fjolla t’i nënshtrohej një tjetër kontrolli, sepse sipas tyre një eko nuk ishte e mjaftueshme për të vërtetuar shtatzëninë.

Fjolla Morina në Gjykatë

Kontrolli i dytë zbuloi se këngëtarja nuk është shtatzënë dhe është mësuar se mjeku i parë që i ka nxjerrë raportin fals është arratisur në Kosovë. Edhe ndaj mjekut rëndon akuza për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Pak para kontrollit të dytë për shtatzëni, avokatja e Morinës deklaroi se ajo nuk kishte armë zjarri me vete, por një pistoletë për të trembur qentë dhe një çakmak. Avokatja tha se prokuroria kishte kërkuar kontratë qiraje banimi për t’i vendosur masën e sigurisë arrest shtëpie ose garanci pasurore prej 5 milionë lekësh.

“Kjo pistoletë nuk është armë zjarri, por pistoletë që përdoret për të trembur qentë apo kafshët e egra dhe për të dhënë sinjal në rast rreziku pasi bën zhurmë dhe qëllimi i përdorimit është në sport dhe ndryshe është pistoletë zhurmuese, ndërsa tjetra është çakmak”, është shprehur avokatja.

“Fillimisht kërkesa e parë e prokurorisë ishte për arrest në burg, me faktet pasi Fjolla është shtatzënë dhe është e pamundur që ajo të lihet në burg sipas nenit 230 pika 2. Na u la një kohë për të siguruar një kontratë qiraje banimi që ajo të vendoset me masën e sigurisë arrest shtëpie ose në këtë kundërtën kërkoi dhe garanci pasurore. Gjatë kësaj kohe na u la koha e lirë për të konkluduar nëse do paraqesim garancinë pasurore ose kontratën e qirasë”, ka thënë avokatja Guska.

Fjolla Morina u kap në 19 shtator në pikën kufitare në Morinë më 2 pistoleta në çantën e dorës dhe 23 fishekë. Këngëtarja u shoqërua menjëherë në komisriat dhe mbi të rëndon akuza për “Trafik të armëve dhe municioneve”. Gjatë atij momenti Fjolla shoqërohej në makinë nga dy djem 29-vjeç secili, Fisnik Syla dhe Fitim Muji, të cilët kanë treguar se nuk ishin në dijeni për armët që posedonte Fjolla. Ndërkohë kjo e fundit ka treguar se armën e zjarrit ja ka bërë dhuratë një mik i saj, i cili nuk jeton më.

(Kosova Sot Online)