Elvana Gjata bëhet e gjallë pas prishjes së fejesës 2-vjeçare me biznesmenin, arsyeja pse e la në heshtje historinë e saj

  • G.G /
  • 29 shtator 2020 - 10:29
Elvana Gjata bëhet e gjallë pas prishjes së fejesës 2-vjeçare me biznesmenin, arsyeja pse e la në heshtje historinë e saj

Elvana Gjata është shkëputur nga muzika për pak kohë, ndërkohë që kohët e fundit këngëtaren e kemi parë shumë të distancuar dhe nga rrjetet sociale.

Por ka pritur vjeshtën që autorja e këngës “Me tana” të na surprizojë duke thyer heshtjen për të postuar disa foto në Instagram. Elvana ka marrë vëmendje teksa ka pozuar e veshur me bikini dhe atlete, duke vënë në pah linjat e trupit, për të cilat duket se ka punuar shumë këto kohë.

Për këtë rikthim në Instagram por ende në muzikë, nuk kanë munguar dhe komentet e shumta nga fansat e saj, të cilët i bëjnë pyetje të ndryshme, pasi janë bërë kuriozë për jetën e saj. Duke u nisur dhe nga hiti “A m’don”, nuk kanë munguar edhe komentet apo dyshimet në lidhjet me jetën e saj private, dhe si po shkon lidhja e saj me biznesmenin Ervin Matën.

Por burime pranë tyre kanë treguar në privatësi se në fakt ata mund t’i kenë dhënë fund fejesës 2- vjeçare, një ndarje që po përpiqen ta mbajnë të fshehtë. Kjo është dhe arsyeja pse Elvana ka stopuar jetën muzikore, edhe u fol se po punonte për një bashkëpunim me Deejay-n me famë botërore, Mahmut Orhan.

Dyshimet për duetin lindën pasi ky i fundit publikoi disa foto, që ishin shkrepur në po të njëjtin vend ku dhe Elvana kishte realizuar disa fotografi. Ndërkohë fansat e saj pyesin se ç’po ndodh me jetën private të Elvana Gjatës, e cila që nga zhurma e madhe në dhjetorin e vitit që lamë pas pasi nuk fitoi festivalin, zhduket herë pas herë nga rrjetet sociale.

Pasi bën pauzë duke ngrirë Instagramin e saj, ajo rikthehet me ndonjë set fotosh dhe ndonjë mesazh publik. Ashtu bëri dhe muaj më parë, për t’u rikthyer me një set ku shfaqej në stilin e viteve ’90-të.

Shumë prej fansave ngritën dyshime për jetën e saj private që para disa muajsh, nisur nga disa lajme që po qarkullojnë në rrethin e artistëve se ajo mund t’i kishte dhënë fund fejesës me Ervin Matën.

Ajo heshti dhe këtë herë, ndërkohë që la të kuptohej se gjatë karantinës po punonte për një projekt të ri, duke vazhduar rrugën e saj drejt suksesit ndërkombëtar. Pas largimit e zhgënjyer nga skena e Festivalit të RTSHsë, ku zuri vendin e dytë, ajo zbuloi projektin me të cilin po merrej.

Elvana po përgatitej për të sjellë këngën “One in a billion”, me producentin e famshëm Poo Bear. Lajmi u bë publik nga këngëtarja, e cila bëri repost postimin e producentit, ku shkruhej: “One in a billion .. Të fokusuar në pasionin tonë. E mrekullueshme të punosh me ty Elvana!”

E ndërkohë që u bë e gjallë në rrjetet sociale, në jetën reale Elvana ka kohë që ka munguar. Madje, mungesa e saj u vu re edhe në premierën e filmit “I love Tropoja” të mikut të saj, Ermal Mamaqi. Mes shumë të ftuarve VIP ra në sy mungesa e ish-partneres së tij në filmin “Dy gisht mjaltë”.

Mikesha për kokë e Ermalit mungoi në premierën e filmit të producentit, që romancën e tij këtë herë si aktor protagonist e ndau me këngëtaren Enca Haxhia dhe aktoren nga Tropoja, Arjola Demiri. Ndërkohë dihet që lidhja e tyre kaloi një sprovë të madhe vitin e kaluar, pas ngjarjes së ndodhur në një lokal në ish-Bllok, ku u përfshi dhe partneri i saj.

Natyrisht që për Elvanën pasti një kosto në imazh, ndaj ajo vendosi të shkëputej nga jeta publike për t’u rikthyer në fund të vitit me pjesëmarrjen në Festivalin e Këngës në RTSH.

SI NISI DHE PËRFUNDOI HISTORIA E KËNGËTARES ME ISHSHOKUN E SHKOLLËS

Para dy vitesh Elvana Gjata promovoi albumin e saj me Pirro Çakon, që u konsiderua dhe nata speciale me të ftuar VIP-a, ku ajo miqtë e saj i prezantoi me të fejuarin, pikërisht Ervin Matën.

Pas eksperiencës dhe punës me emra të mëdhenj të produksionit amerikan të muzikës, këngëtarja Elvana Gjata u rikthye në Tiranë dy vite më parë për të kënduar në mbrëmje në një nga hotelet me emër të kryeqytetit. Artistja kishte përgatitur gjithçka për këtë koncert intim me 120 të ftuar, pikërisht në ditëlindjen e saj të 31-të.

Gjatë koncertit u mbështe në performancat e saj dhe nga kantautori Pirro Çako. Në mbrëmjen “high class” ra në sy prania e të fejuarit të saj, dhe prindërve të tij.

Kështu artistja zyrtarizoi lidhjen e saj dy-vjeçare në fshehtësi me një djalë të njohur në Tiranë për jetën e tij të shtrenjtë që bën dhe për biznesin e tij, pasi ka në pronësi një hotel të njohur. Lidhja e tyre ishte bërë dhe familjare, pasi Elvana konsiderohej si nusja në familjen e tij.

Në atë periudhë këngëtarja investoi në biznesin e fustaneve “Altar”, që shumë shpejt e shiti për t’iu përkushtuar karrierës. Ndërsa në një intervistë për Ermal Mamaqin, nga shtëpia e saj luksoze në Tiranë, rrëfeu se ndjehej me shumë fat me partnerin e saj, të cilin e kishte pasur shok shkolle, por që më vonë erdhën situatat që të dashuroheshin dhe të fejoheshin.

Por duket se pas dy viteve lidhje në fshehtësi dhe dy vite fejesë, ata i kanë dhënë fund për arsye që ende nuk janë të qarta, edhe pse kanë qarkulluar thashetheme nga më të ndryshmet për shkakun e vërtetë të prishjes së fejesës.

(Kosova Sot Online)