Humb 4.7 miliard dollarë në tre muaj, Disney pushon nga puna 28.000 punonjës për shkak të COVID-19

  • G.G /
  • 30 September 2020 - 13:38
Humb 4.7 miliard dollarë në tre muaj, Disney pushon nga puna 28.000 punonjës për shkak të COVID-19

Walt Disney njoftoi se do të pushojë nga puna 28.000 punonjës. Vendimi u mor për shkak të numrit të kufizuar të vizitorëve dhe pasigurisë përgjatë periudhës që do të zgjasë pandemia e koronavirusit.

Parqet e kompanisë kanë marrë një goditje të madhe nga pandemia.

Disney mbylli të gjitha parqet e saj në fillim të këtij viti ndërsa virusi u përhap, por aktualisht vetëm Disneyland në Kaliforni mbetet i mbyllur.

“Kemi marrë një vendim shumë të vështirë për të filluar procesin e zvogëlimit të fuqisë sonë punëtore në segmentin tonë të Parqeve në të gjitha nivelet,”– tha Josh D’Amaro, kryetari i njësisë së parqeve, në një deklaratë.

Disney gjithashtu ka parqe në Shangai, Hong Kong, Tokio dhe Paris, por që nuk do preken nga nisma e re e kompanisë.

Hong Kong Disney u rihap javën e kaluar pasi u mbyll për herë të dytë në korrik për shkak të një rritjeje të rasteve të Covid-19.

Me përjashtim të Disneyland në Kaliforni, të gjitha parqet e ndërmarrjes tani janë rihapur, megjithëse numri i vizitorëve është i kufizuar për të ruajtur distancën sociale.

Disney humbi 4.7 miliard dollarë në tre muaj deri në 27 qershor, duke pësuar rënie prej 85% krahasuar me të njëjtin tremujor në 2019.

(Kosova Sot Online)