Humbi nënën nga kanceri i gjirit, Xhesika Polo bën një gjest shumë fisnik për gratë e sëmura

  • G.G /
  • 06 October 2020 - 12:43
Humbi nënën nga kanceri i gjirit, Xhesika Polo bën një gjest shumë fisnik për gratë e sëmura

Këngëtarja Xhesika Polo para 8 muajsh humbi nënën e saj pas një beteje të gjatë me kancerin e gjirit. Për Xhesikën kjo ishte një nga ngjarjet më të hidhura, sepse si të gjitha vajzat ajo kishte një marrëdhënie shumë speciale me të ëmën.

Megjithatë ajo ka vendosur që dhimbjen ta kthejë në forcë dhe t’ju vijë në ndihmë grave që po kalojnë të njëjtën gjë si nëna e saj. Këngëtarja ka treguar ditën e sotme se ka krijuar një faqe në nder të së ëmës së ndjerë, Florencës, për të mbledhur fonde për vajzat ose gratë që janë prekur nga kanceri i gjirit.

Xhesika është shprehur se të gjithë fondet do t’ju shpërndahen atyre dhe deri tani ka si qëllim final që të grumbullojë deri në 3 mijë euro.

“Tetori është muaji i Kancerit te Gjirit. Breast cancer awareness! Unë humba mamanë time para 8 muajsh nga kanceri i gjirit. Tani kam një qëllim. Kam krijuar një faqe në nder të Florencës mamit tim të shtrenjtë. Kjo faqe ka si qëllim të rrisë fonde për të ndihmuar femrat që kanë kancer ose që e kanë kaluar atë. Jam e lumtur që po e ndaj këtë gjë me ju. Fondet shkojnë direkt tek fondacioni! Uroj ta shpërndani sa më shumë dhe të kontribuoni”, ka shkruar Xhesika.

Para disa muajsh ajo bëri diçka të ngjashme duke i dhuruar një gruaje që vuan nga kanceri i gjirit, protezën e silikonit të nënës së saj. Ajo shpjegoi se protezat e silikonit nuk sigurohen shumë lehtë në shtet dhe janë të shtrenjta për t’u blerë, ndaj vendosi që të bënte këtë gjest ndaj dikujt që po përjeton një sëmundje aq të vështirë.

(Kosova Sot Online)