Loredana pranoi se e ka mashtruar çiftin nga Zvicra, kaq mijëra franga i kushtoi dëmshpërblimi

  • E.K /
  • 07 tetor 2020 - 09:31
Loredana pranoi se e ka mashtruar çiftin nga Zvicra, kaq mijëra franga i kushtoi dëmshpërblimi

Prokuroria publike e Lucernit ka njoftuar të martën se e ka mbyllur çështjen pasi Loredana ka kërkuar falje për sjelljen e saj dhe ka rënë dakord për dëmshpërblim ndaj palës së dëmtuar.

Fotografitë që qarkulluan rreth mesit të shtatorit, ku këngëtarja shqiptare-zvicerane e rap-it, Loredana Zefi dhe ajo që konsiderohet viktima e saj dukeshin të buzëqeshura, më në fund morën shpjegimin e tyre.

Në lajmin e publikuar atëherë spekulohej se këngëtarja dhe Petra Z. kishin arritur pajtimin e madh, por nuk bëheshin të ditura detajet, shkruan albinfo.ch.

Por, tashmë gjithçka është e qartë: Reperja Loredana nuk do të përgjigjet për mashtrim komercial. Prokuroria publike e Lucernit ka njoftuar të martën se e ka mbyllur çështjen pasi Loredana ka kërkuar falje për sjelljen e saj dhe ka rënë dakord për dëmshpërblim ndaj palës së dëmtuar.

Loredana, tani 25 vjeçare, qe akuzuar në vitin 2019 për mashtrimin së bashku me vëllain e saj të një gruaje, duke i marrë asaj një shumë të madhe të hollash, me ç`rast ishte prezantuar si avokate, shkruan sda.ch.

Në atë kohë flitej për 700,000 franga. Por, prokuroria publike në njoftimin e saj bën fjalë për 430.000 franga. Loredana i ka paguar palës së dëmtuar një shumë më të lartë se kjo dhe ka kërkuar falje për sjelljen e saj.

Reperja qe arrestuar përkohësisht nga policia e Lucernit në vitin 2019, dhe zyra e prokurorit publik po hetonte dyshime për mashtrim, zhvatje, detyrim dhe kërcënime, transmeton albinfo.ch. Loredana i kishte mohuar akuzat në një konferencë mediatike në Prishtinë. Kosovarja me atë rast kishte thënë se nuk kishte zhvatur para.

Ndërkohë, Zyra e prokurorit publik njofton se Loredana kishte pranuar në një seancë marrëveshjeje se kishte vepruar në mënyrë të paligjshme. Ajo pra ka pranuar se është paraqitur si avokate, ka mashtruar viktimën dhe ka përvetësuar para, përcjell albinfo.ch. Për të gjitha këto ajo merr përgjegjësinë e plotë dhe kërkon falje për veprimet e saj.

Seanca kishte e marrëveshjes (pajtimit) kishte ndodhur sepse Loredana dhe pala e dëmtuar kishin kërkuar një zgjidhje pa u ndjekur penalisht, ka thënë prokurori publik. Përveç kompensimit, Loredana paguan gjithashtu shpenzimet e palës së viktimës dhe shpenzimet e procedurës penale.

Prokurori publik njofton se vendimi për pushimin e procesit është përfundimtar. Një vendim i ngjashëm është marrë edhe për vëllain e Loredanës, i cili ka vepruar si ndihmës. Ai merr po ashtu pjesë në dëmshpërblim.

Prokurori publik e bazon vendimin e tij mbi pushimin e ndjekjes në një dispozitë në Kodin e Procedurës Penale, sipas së cilës ndjekja penale mund të anulohet nëse plotësohen kushtet për dëmshpërblim, transmeton albinfo.ch. Me një zgjidhje të tillë, bazuar në parimin e mundësisë, mund të sigurohet dëmshpërblimi dhe të promovohet pajtimi në mes të kryerësit dhe viktimës.

(Kosova Sot Online)