Nuk i nominuan albumin e ri, edhe Gashi del kundër “Grammy” pas The Weeknd e Drake

  • G.G /
  • 30 November 2020 - 10:53
Nuk i nominuan albumin e ri, edhe Gashi del kundër “Grammy” pas The Weeknd e Drake

Këtë vit të shumtë ishin artistët që dolën kundër çmimeve “Grammy”, për shkak të nominimeve dhe çmimeve që u shpërndanë. I pari që doli publikisht kundër ishte “The Weeknd”, i cili e cilësoi eventin madhështor si të korruptuar.

“Grammys vazhdon të jetë i korruptuar. Ju më detyroheni mua, fansave të mi dhe industrisë, transparencë“, shkroi The Weeknd në një postim.

Pas tij reagoi edhe Drake, i cili u shpreh se priste shumë që ndarja e çmimeve “Grammy” të ndryshonte këtë vit, por asgjë nuk ndodhi.

“Mendoj se duhet ta ndalojmë veten të habitemi çdo vit për këtë shkëputje mes muzikës me ndikim dhe këtyre çmimeve dhe të pranojmë që ajo çfarë ishte më parë forma më e lartë e njohjes, të mos ketë rëndësi për artistët që ekzistojnë tani dhe ata që do të vijnë më pas. Është pak a shumë si një i afërm për të cilin ti pret që të ndryshojë, por ai nuk përmirësohet”, shkroi Drake.

Ndërkohë së fundmi në lidhje me këtë gjë ka reaguar edhe reperi me origjinë shqiptare, Gashi. Ai ka treguar se priste që albumi i tij më i ri “1984” të nominohej në “Grammy”, por kjo gjë nuk ndodhi. Gashi është shprehur i mërzitur për këtë fakt, por ka treguar se ndihet i lumtur dhe mirënjohës që ka fansat e mbështetësit e tij.

“Për fansat ose mbështetësit e mi

Ju jeni ar4syeja pse unë jam gjallë… Albumi im 1984 nuk u nominua në çmimet Grammy dhe po kjo gjë më mërziti, por ju jeni arsyeja pse unë nuk po e humbas veten time, sepse kam punuar shumë fort për këtë gjë, por dashuria që ju më keni dhënë është shumë më e vlefshme se një çmim. Faleminderit dhe lutem që kur të kthehem në turne t’ju dëgjoj të gjithëve ju duke kënduar këngët e mia fjalë për fjalë. Pa ju ne artistët jemi asgjë”, shkruan Gashi.

Megjithatë ai ka shënuar disa suksese gjatë këtij viti në karrierë dhe para disa ditësh zbuloi se ka firmosur kontratë me një firmë veshjesh si model. Gjithashtu disa javë më parë Gashi ka nënshkruar një kontratë me studion muzikore RCA Records, që është akronim i Radio Corporation of America. Kjo studio muzikore është në pronësi të Sony Music Entertainment, që është kompania muzikore më e njohur në mbarë botën.

(Kosova Sot Online)