Fjolla Morina ka një kërkesë për Gjykatën në ditën kur merret vendimi për të fejuarin e saj

  • G.G /
  • 13 January 2021 - 13:10
Fjolla Morina ka një kërkesë për Gjykatën në ditën kur merret vendimi për të fejuarin e saj

Gjykata e Kukësit ka zhvilluar ditën e djeshme seancën paraprake ndaj këngëtares Fjolla Morina, e akuzuar për “Trafik të armëve dhe municioneve”.

Këngëtarja nga Kosova, e cila është lënë në masë sigurimi “Arrest shtëpie”, seancën e djeshme ka pranuar akuzën e ngritur ndaj saj. Po ashtu, Fjolla Morina ka kërkuar që të gjykohet me gjykim të shkurtuar, me qëllim që ajo në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, të përfitojë 1/3 e uljes së dënimit.

Ndërkohë, për të dashurin e saj, Fisnik Sylën, dhe shoferin e tij, Fitim Mujin, Gjykata ka vendosur ta pushojë ndjekjen penale, për shkak se ndaj tyre nuk ka prova që mund t’i implikojnë në trafikun e armëve.

Fillimisht, dosja në ngarkim të këngëtares Fjolla Morina u dërgua në Gjykatë me akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve”, por më pas gjatë zhvillimit të seancës paraprake, gjyqtari i çështjes urdhëroi Prokurorinë që të ndryshojë akuzat nga “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve” në “Trafikim të armëve dhe municioneve”.

Fjolla Morina vijon të qëndrojë në qytetin e Kukësit nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Gjatë kontrollit nga autoritetet e pikës kufitare në çantën e saj u gjetën dy pistoleta, njëra prej tyre çakmak, si edhe 23 fishekë. Këngëtarja nga Kosova u arrestua bashkë me dy persona të tjerë, me të cilët po udhëtonte nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Këngëtarja Fjolla Morina është arrestuar në muajin shtator të vitit të shkuar, në pikën e kalimit kufitar Morinë, ndërsa ka pranuar se arma e zjarrit pistoletë tip “Zoraki” dhe 23 fishekët i përkisnin asaj.

Ajo është justifikuar përballë oficerit të krimeve se i ndërronte çantat e dorës shpeshherë dhe se nuk e dinte çfarë kishte brenda saj. “Unë i ndërroj shpesh çantat dhe armën e kisha vënë disa kohë më parë pikërisht në çantë. E kam harruar aty dhe e mora çantën pa ditur që pistoleta ishte ende brenda dhe udhëtova drejt Shqipërisë”, është shprehur ajo në momentin kur është arrestuar. Këngëtarja nga Kosova u arrestua mesditën e datës 18 shtator, pasi në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me 23 fishekë.

Këngëtarja u kap në vijën e dytë të kontrollit në Morinë, teksa po udhëtonte me një makinë “Audi Q7”. Policia sekuestroi edhe një pistoletë lodër, si dhe ka arrestuar edhe dy personat e tjerë, të cilët po udhëtonin me të, përkatësisht Fitim Mujin, 29 vjeç dhe Fisnik Sylën, 29 vjeç.

Pas arrestimit, këngëtarja përfundoi në spital për shkak se nuk po ndihej mirë. Kujtojmë që Fjolla Morina është një nga këngëtaret që ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e mediave rozë për jetën luksoze dhe videoklipet e shtrenjta. Madje, shumë herë ajo është shfaqur në videoklipe edhe me armë zjarri apo veshje tejet ekstravagante.

Këngëtarja nga Kosova rrezikon të dënohet me 10-20 vjet burg

Çështja penale në ngarkim të saj është regjistruar dhe po gjykohet për akuzën e “Trafikimit të armëve dhe municioneve”, akuzë kjo që parashikon një dënim nga 7 deri në 15 vite burgim. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se arma e kapur në çantën e Fjolla Morinës i është nënshtruar ekspertimit balistik dhe daktiloskopik, për të mësuar gjendjen teknike dhe nëse ka pasur gjurmë gishti të dy djemve të tjerë që ndodheshin në makinë me këngëtaren.

Nga rezultatet e marra nga laboratori i Policisë Shkencore, rezultoi se nuk kishte asnjë gjurmë të të dashurit të këngëtaresh dhe shoferit të tij. Për këtë fakt, ata janë liruar nga akuza e trafikimit të armëve. Sakaq, destinacioni i këngëtares atë kohë ka qenë fillimisht Tirana e më pas për të shkuar në Ulqin, për të realizuar një videoklip të ri. Mësohet se për realizimin e klipit këngëtarja Fjolla Morina do të qëndronte rreth një javë në Shqipëri.

(Kosova Sot Online)