Rrëzohet skenari i parë për organizimin! Ja çfarë pritet të ndodhë këtë vit me “Eurovision”

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 08:03
Rrëzohet skenari i parë për organizimin! Ja çfarë pritet të ndodhë këtë vit me “Eurovision”

Vitin e shkuar u njoftua se do të kishte 4 skenarë potencialë për zhvillimin e “Eurovision Song Contest” për vitin 2021. Ndërkohë që i afrohemi çdo ditë e më shumë datës së kompeticionit, skenari i parë për realizimin e tij është rrëzuar.

Duke qenë se shëndeti dhe siguria e gjithë pjesëmarrësve është prioriteti kryesor, është vendosur që festivali më i rëndësishëm evropian i muzikës të mos mbahet si zakonisht.

“Eurovision Song Contest do të rikthehet në maj, pavarësisht pandemisë, por me rrethanat mbizotëruese është për fat të keq e pamundur që të organizojmë festivalin ashtu siç jemi mësuar”, ka thënë mbikqyrësi ekzekutivi Eurovision, Martin Österdahl.

Organizatorët tashmë kanë përqëndruar gjithë përpjekjet e tyre tek skenari B. Sipas këtij skenari artistët do të performojnë në skenë, stafi do të jetë i plotë/thuajse i plotë, publiku do të lejohet të marrë pjesë deri në 80% duke ruajtur distancën fizike, ndërsa një pjesë e mediave do të jenë prezente në sallë dhe 1000 prej tyre do e ndjekin virtualisht eventin.

Megjithatë ky nuk është vendimi final, sepse në javët në vazhdim, në varësi edhe të situatës me pandeminë, do të vendoset përfundimisht se si do të mbahet “Eurovision Song Contest”. Sipas skenarit më te keq, nuk do të ketë fare publik në sallë dhe të gjitha aktivitetet e festivalit do të mbahen virtualisht.

Kujtojmë se këtë vit Shqipëria do të përfaqësohet nga Anxhela Peristeri me këngën “Karma”.

(Kosova Sot Online)