Paris Hilton tregon me lot në sy: Dy të panjohur më rrëmbyen natën dhe më zhveshën

  • G.G /
  • 10 February 2021 - 12:56
Paris Hilton tregon me lot në sy: Dy të panjohur më rrëmbyen natën dhe më zhveshën

Me një zë të dridhur dhe lot që i rridhnin në fytyrë, trashëgimtarja 39-vjeçare e perandorisë “Hilton” në botë, dëshmoi në Komitetin e Drejtësisë të Senatit Shtetëror të Utah, në lidhje me abuzimet që ka pësuar në “Provo Canyon School”, të cilën ajo e ndoqi për 11 muaj kur ishte 16 vjeçe. Paris tha se ajo pësoi abuzim fizik dhe psikologjik.

Paris Hilton raportoi përvojën e saj në favor të projekt-ligjit nga ligjvënësit e shtetit amerikan, që bëjnë thirrje për mbikëqyrje më të madhe të qeverisë mbi qendrat e rehabilitimit të të rinjve.

“Gjatë 20 viteve, jam ndjekur nga një makth i përsëritur: dy të panjohur më rrëmbejnë në mes të natës, më zhveshin për të më bërë presion dhe më pas më mbyllin në një ndërtesë. Unë do të doja të thosha që ishte thjesht një ëndërr e keqe, por nuk ishte e tillë ”, tha aktorja, këngëtarja dhe modelja.

Trashëgimtarja më e famshme, gjithashtu deklaroi se personeli i kolegjit e ka rrahur atë, e detyroi të merrte pilula të panjohura, e shikonin ndërsa bënte dush dhe e detyronin të qëndronte në izolim pa rroba si ndëshkim.

“Unë u detyrova të merrja pilula, ata më lanë të shtangur për ditë të tëra. Ata arritën të përkulnin vullnetin tim. Kujdestarja ime u mburr me kolegët e saj se kishte pasur sukses”.

Nuk është hera e parë që Paris tregon këtë histori. Ajo tashmë e ka bërë këtë në dokumentarin “Ky është Parisi”, i publikuar në internet në shtator 2020, në të cilin detajoi abuzimet fizike që pësoi në moshën 16 vjeçe, kur prindërit e saj vendosën që mënyra e vetme për ta shëruar atë nga teprimet rinore,  ishte ta mbyllnin në një objekt rehabilitimi privat në Utah.

Një shkollë private, e specializuar në trajtimin e adoleshentëve të vështirë ku, në vitin 1997, prindërit e vajzës paguanin një faturë prej 300 mijë dollarësh për ta mbajtur të mbyllur gjatë muajve të trajtimit.

(Kosova Sot Online)