Një vit pas ndarjes nga jeta të Kobe Bryant, rrëfehet Vanessa: Dhimbja është e paimagjinueshme

  • G.G /
  • 04 mars 2021 - 12:14
Një vit pas ndarjes nga jeta të Kobe Bryant, rrëfehet Vanessa: Dhimbja është e paimagjinueshme

Vanessa Bryant po përpiqet të gjejë “dritën në errësirë”. Pak më shumë se një vit pas aksidentit tragjik me helikopter ku vdiq bashkëshorti i saj, Kobe Bryant dhe vajza e tyre 13-vjeçare, Gianna, Vanessa shprehet se po bën çmos për të ecur përpara.

“Kjo dhimbje është e paimagjinueshme, por thjesht duhet të ngrihesh dhe të ecësh përpara. Të qëndruarit në shtrat duke qarë nuk do ta ndryshojë faktin që familja ime nuk do të jetë më e njëjta. Por, të ngrihem nga shtrati dhe të vazhdoj përpara do e bëjë ditën më të mirë për vajzat e mia dhe për mua.”, tha ajo për “People”.

Ajo thotë se forcën për të vazhduar përpara e gjen tek vajzat e saj, ndërsa shtoi se frymëzimin ia atribuon Kobe-s dhe vajzës së ndjerë. “Nuk mund të them se jam e fortë çdo ditë. Nuk mund të them se nuk ka ditë kur ndihem sikur nuk mund të mbijetoj.”, pranon ajo.

“Kobe dhe Gigi më motivojnë të ec përpara. Ata më frymëzojnë të përpiqem më shumë dhe të jem më e mirë çdo ditë. Dashuria e tyre është e pakushtëzuar dhe më motivojnë në shumë mënyra të ndryshme.”, shtoi më tej Vanessa. Një burim për Entertainment Tonight është shprehur se Vanessa dëshiron t’i nderojë ata, dhe për këtë ka disa projekte që lidhen me punën e tyre.

(Kosova Sot Online)