Ç’vajzë me fat! Mes një skuadër djemsh, Dafina Zeqiri ndihet si një princeshë e vërtetë
Dafina Zeqiri prej kohësh bashkëpunon me një skuadër djemsh, të cilët tashmë janë njësoj si familja e saj. Madje në mesin e tyre, Dafina ndihet si një princeshë e vërtetë, sepse ata kujdesen në maksimum për artisten. Këtë gjë e ka dëshmuar vetë Dafina përmes një postimi në rrjete sociale.
Ajo ka publikuar një video në të cilën menaxheri dhe bashkëthemeluesi i labelit “Moneyz”, Pëllumbi, shihet duke i drejtuar flokët Dafinës me një pjaster. Dafina ka treguar se ndihet me shumë fat që djemtë kujdesen edhe për të tilla detaje për të.
“Unë jam e vetmja vajzë në skuadër dhe gjithmonë marr gjithë ndihmën që dua”, ka shkruar Dafina përkrah videos.
Ndërkohë së fundmi artistja ka zbuluar se ditën e sotme në orën 18:00 do të publikojë projektin e shumëpritur. Ajo ka publikuar një pjesë të shkurtër nga videoklipi bardh e zi, në të cilin shfaqet duke ecur përkrah disa njerëzve. Kënga e re do të mbajë titullin “Duro” dhe Dafina ka zbuluar se do të ketë në fokus problemet me shëndetin mendor.
Kujtojmë se disa ditë më parë, Dafina tregoi se i ishte nënshtruar një operacioni delikat në gju, pas dëmtimit të ligamenteve të tij. Për pesë javë, këngëtarja ka kaluar ditë të vështira teksa rikuperohej dhe gjithçka na e tregoi përmes një videoje të publikuar në Instagram.
(Kosova Sot Online)