Bëhuni gati për hitin e radhës! Stresi po vjen me një bashkëpunim me reperin më të mirë britanik

  • G.G /
  • 13 March 2021 - 16:19
Bëhuni gati për hitin e radhës! Stresi po vjen me një bashkëpunim me reperin më të mirë britanik

Prej disa muajsh Stresi ndodhet larg Shqipërisë, sepse menjëherë pas protestave masive në muajin dhjetor ai udhëtoi drejt Mbretërisë së Bashkuar. Megjithëse nuk është kthyer ende në vend, reperi nuk ka hequr dorë për asnjë moment nga muzika, madje këto kohë ka qenë më aktiv se kurrë. Për më tepër Stresi ka gati surpriza të shumta për fansat e tij dhe në Angli ka siguruar një super bashkëpunim, që do të thyejë rrjetin.

Së fundmi Stresi ka publikuar në Instagram një video me reperin e famshëm anglez, C Biz. Në video ata shihen në një studio muzikore, në të cilën po punojnë për një bashkëpunim. Vetë Stresi ka treguar se ndihet shumë i nderuar që pati mundësinë të njihet me C Biz dhe që për më tepër do të ketë edhe një duet me të në repertorin e tij.

C Biz është një nga reperët më të mirë dhe të vjetër në Mbretërinë e Bashkuar dhe emri i tij vazhdon të jetë trend në listat muzikore. Një nga këngët më të famshme të reperit britanik është “The Game’s Mine”, që numëron miliona klikime.

Sa i përket Stresit, kujtojmë se në janar ai solli një super bashkëpunim me reperin Fero me titulin “Mahall”. Teksa kanë kaluar vetëm 2 muaj nga lançimi, kënga numëron më shumë se 3 milionë klikime në “Youtube”. Mesa duket 2021 do të jetë viti i Stresit dhe ne mezi po presim të dëgjojmë të gjitha surprizat që ka përgatitur!

(Kosova Sot Online)