Një burrë po kërcënon ta vrasë supermodelen Kendall Jenner dhe pastaj veten

  • G.G /
  • 30 mars 2021 - 09:00
Një burrë po kërcënon ta vrasë supermodelen Kendall Jenner dhe pastaj veten

Policia ka bërë të ditur se supermodelja e njohur, Kendall Jenner, ka pranuar kërcënime me jetë nga një burrë dhe tani ajo po mbrohet nga profesionistët.

Të hënën Kendall e paraqiti rastin e saj në gjykatë dhe bëri që një gjykatës t’ia sigurojë një urdhër ndalimi të përkohshëm për ta mbrojtur nga burri 24-vjeçar i njohur me emrin, Malik Bowker, për të cilin Jenner pretendon se udhëtoi në të gjithë vendin për ta vrarë atë.

Sipas dokumenteve të reja ligjore të siguruara nga uebfaqja “TMZ”, supermodelja dhe motra e vogël e Kim Kardashianit, pretendon se një detektive i Departamentit Policor të Los Angelesit i tregoi asaj për planin e supozuar të Bowkerit. Ajo thotë se policia i tha se Bowker kishte planifikuar ta blinte një armë zjarri të paligjshme për ta qëlluar atë dhe pastaj veten.

Në këto dokumente gjyqësore, Jenner po ashtu deklaron se policia i ka treguar që Bowker po qëndron i mbyllur përkohësisht në një spital psikiatrik, por e kanë paralajmëruar që ai mund të lirohet shumë shpejtë nga ai vend.

Jenner e ka një ekip të madh të sigurimit të cilët janë të armatosur dhe që e ruajnë shtëpinë e saj 24 orë për çdo ditë. Prandaj, nëse dikush sikur Bowker tenton të futet pa leje në këtë pronë, ata do të kapeshin menjëherë nga sigurimi para se të mund t’i afroheshin modeles së famshme. Por kjo nuk po mjafton që ajo të ndihet plotësisht e qetë.

Kendall Jenner thotë që ajo kurrë nuk e ka takuar burrin në fjalë, por kërcënimet e tij po i shkaktojnë stres të madh emocional dhe ankth. Ajo po ashtu thotë se frikësohet tej mase që Bowker do të provojë ta gjejë atë për ta lënduar apo vrarë, në momentin që do të lirohet nga spitali.

Gjykatësi ia siguroi yllit të televizionit dhe modës një urdhër ndalesë të përkohshme, dhe tani Bowker është i detyruar ligjërisht të qëndrojë 100 metra larg saj.

(Kosova Sot Online)