Dhëndri perfekt për nusen perfekte! Partneri i Duas mbështet publikisht Vjosa Osmanin si Presidente të Kosovës

  • G.G /
  • 07 prill 2021 - 13:44
Dhëndri perfekt për nusen perfekte! Partneri i Duas mbështet publikisht Vjosa Osmanin si Presidente të Kosovës

Pa zgjedhje të parakohshme, Vjosa Osmani u shpall Presidente e Kosovës për një mandat 5-vjeçar, pasi mori 71 vota nga votimi ku morën pjesë 82 deputetë.

Shpallja e Osmanit Presidente u duartrokit fort nga shqiptarët e Kosovës e Shqipërisë dhe Presidentja e re mori mbështetjen e madhe të figurave të njohura publike.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, uroi me fjalët më të bukura Vjosa Osmanin në rrjete sociale, për ta parë e gjithë bota.

“Urime Madamë Presidente.

Sa e mrekullueshme të shikosh një femër në majë”, ka shkruar Dua duke i uruar Vjosa Osmanit postin e rëndësishëm.

Partneri i Duas, Anwar Hadid, ka treguar edhe njëherë se është partneri perfekt që e mbështet Duan kudo dhe e dashuron Kosovën po aq sa këngëtarja.

Në llogarinë e tij në Instagram, ai ndarë një postim të Osmanit në detyrën e re, ku shkruhet: “Kosova ka zgjedhur avokaten 38-vjeçare si Presidenten e re”, që ta shohin të gjithë ndjekësit e tij.

Së fundmi Vjosa ka thënë nëpërmjet një statusi në “Facebook” se është përmbyllur me dijnitet një kapitull i zgjedhjeve demokratike duke dhënë shembujt më të mirë të funksionimit të demokracisë.

“Mbrëmë e përmbyllëm dinjitetshëm një kaptinë të zgjedhjeve demokratike, si dhe e vulosëm edhe njërin ndër shembujt më të mirë të funksionimit të demokracisë, duke respektuar në plotësi vullnetin e qytetarëve.

Vullneti i qytetarëve, i shprehur më 14 shkurt u plotësua dhe  institucionet e vendit të dala nga ky vullnet u konstituuan plotësisht.

Jam plotësisht e vetëdijshme për pritshmëritë që ju i keni. Por, po ashtu jam e vetëdijshme që misioni ynë është shumë më shumë se sa angazhim politik, ngaqë se çdo mision i nisur me bekimin e qytetarëve e që derivon nga vullneti i tyre, është mbi të gjitha, mision fisnik. Andaj nga ne pritet të dijmë të dallojmë se si të ndajmë të mirën nga e keqja, të bëjmë diferencën në mes të së tashmes dhe të kaluarës, të dijmë se kur është koha e duhur të ndërmarrim veprime madhore, duke u siguruar që çdo veprim i yni na sjell një hap më afër Kosovës për të cilën flasim kaq shumë; një hap më afër Kosovës ashtu siç e duam dhe e ëndërrojmë.

Të luftosh padrejtësitë e të sfidosh veprimet e gabuara, të shtysh përpara kauza që e përmirësojnë jetën e njerëzve që na rrethojnë, të qëndrosh fort prapa bindjeve tuaja kur e di që diçka është e drejtë dhe duhet bërë, nuk është thjesht çështje e një vote apo deklarimi publik, është përmbushja më e madhe dhe arritja më kulminante në realizimin me sukses të misionit tonë në këtë rrugëtim politik. Veprime të tilla, veprime guximtare, veprime që i japin kah shpresëngjallës historisë, janë dëshmia më e pastër e madhështisë së secilit e secilës nga ne.

Kur zgjedhet rruga e drejtë, asnjëherë nuk është e lehtë e pengesat janë të mëdha. Por kur përballeni me to, kujtojeni gjithnjë atë që heroi ynë kombëtar Jusuf Gërvalla e shkroi si mësim që kishte marrë nga nëna e tij, Nëna Ajshe:

“Rruga e nderit është më e zorshmja, por është e vëtmja rrugë e drejtë për njeriun. E kush është munduar për nder, nder ka gjetë”!

Në këtë rrugëtim, shpresoj t’u kem të gjithëve bashkudhëtarë. Na priftë e mbara!”, ka shkruar Vjosa.

(Kosova Sot Online)