Prokuroria e cilëson recidivist Vali Corleonen, i gjendet kokainë në tavolinë dhe një “Scorpion”

  • E.K /
  • 16 April 2021 - 14:56
 Prokuroria e cilëson recidivist Vali Corleonen, i gjendet kokainë në tavolinë dhe një “Scorpion”

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit për PrincValentino Corleonen.

Sipas kërkesës së prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, me datë 14.04.2021, rreth orës 16:00 minuta në shtëpinë e tij në Gjilan, në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur armë automatike të llojit “Scorpion”, me (5) pesë karikatorë dhe njëqindetetëmbëdhjetë (118) fishekë të kalibrit 1.65 mm.

Po ashtu sipas prokurorisë në të njëjtën ditë i pandehuri në shtëpinë e tij, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike, ashtu që me rastin e kontrollimit nga ana e Policisë së Kosovës në dhomën e tij të ndejës, në tavolinë janë gjetur (8) tetë qese substancë narkotike e llojit “kokainë”, në peshë prej 2.9 gram. 

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale “mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” dhe “posedimi i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” veprat sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale.

Më tutje prokuroria theksoi se i  pandehuri është një recidivist i veprave penale, po të gjendet në liri mund të kryejë vepra tjera penale.

(Kosova Sot Online)