Flaka Krelani pushton ballinën e revistës amerikane “My New York”

  • G.G /
  • 23 prill 2021 - 09:13
Flaka Krelani pushton ballinën e revistës amerikane “My New York”

Këngëtarja shqiptare Flaka Krelani, e cila që një vit ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka arritur të pushtojë edhe ballinën e njërës prej revistave të famshme atje.

Bëhet fjalë për revistën “My New York” dhe këngëtarja 31-vjeçare do të shfaqet në numrin e muajit maj të saj.

“Inspirimi jeton në New York” është titulli që kjo intervistë i ka dedikuar Flaka Krelanit e cila njihet si një prej këngëtareve me zërin më të fuqishëm në trojet shqiptare.

Ajo përveç se ka pozuar për revistën, ka dhënë edhe një intervistë të shkurtër për të, ku ndër të tjera thekson se vjen nga shteti më i bukur në botë.

“Vij nga shteti më i bukur në botë, Kosova. Kam lindur në Gjakovë”, ka thënë ajo.

Krelani në këtë intervistë ka folur edhe për njerëzit në Kosovë, duke i përshkruar si njerëz të mençur dhe me zemër të madhe.

“Kosova është një vend i njerëzve të mrekullueshëm. Njerëzit në Kosovë janë të njohur si njerëz me zemër të madhe. Ata janë të shoqërueshëm, të ëmbël, të bukur, të mençur…Jemi vend me tradita të jashtëzakonshme, për çka jam krenare”, është shprehur këngëtarja dhe tekstshkruesja Krelani.

Ajo po ashtu ka thënë se ka që një vit që po jeton në New York dhe se aty po i bëhen ëndrrat realitet.

Flaka Krelani ka nisur karrierën e saj muzikore vite më parë ndërkohë që deri tani, për fansat e saj, ajo ka sjellë një mori këngësh dhe videoklipesh të cilat kanë korrur sukses të madh.

(Kosova Sot Online)