Mbajeni mend këtë numër! Sonte nata e dytë e Eurovision-it, ja kur do të këndojë Anxhela

  • G.G /
  • 20 May 2021 - 11:48
Mbajeni mend këtë numër! Sonte nata e dytë e Eurovision-it, ja kur do të këndojë Anxhela

Këtë mbrëmje pritet të mbahet gjysmëfinalja e dytë e “Eurovision”, në të cilën do të këndojë edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, Anxhela Peristeri, e cila përfaqëson vendin tonë me këngën “Karma”, që ka arritur të marrë komente pozitive nga mediat dhe ndjekësit e këtij festivali.

Pas natës së parë gjysmëfinale ku u zgjodhën 10 shtetet e para finaliste, sonte zhvillohet nata e dytë ku interpreton edhe Anxhela Peristeri, si e 11-ta me radhë. Shqiptarët janë të gjithë në ankth, sepse pritet të mësohet nëse “Karma” do të prekë apo jo finalen e madhe.

Ndërkohë për rikujtim, të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të votojnë mbrëmjen e sotme Anxhela Peristerin me numrin 11 duke dërguar një mesazh, që artistja shqiptare të kalojë në finale.

Përveç vokalit, Anxhela mori vëmendje të madhe edhe me paraqitjen e saj,  madje u konsiderua si veshja më e mirë.

Mediat e huaja shkruajtën për fustanin që Peristeri kishte përzgjedhur dhe ajo ka fituar aq vëmendje sa ka arritur të shpallet si e veshura më bukur.

“WiwiBlogs”, portali më i madh i “Eurovision”, ka organizuar një sondazh për publikun për të përzgjedhur këngëtaren e veshur më bukur dhe Anxhela ka mbledhur shumicën e votave. Fustani i kuq, i çarë deri në pjesën e sipërme të këmbës i punuar nga Valdrin Sahiti, duket se i ka pëlqyer shumicës së publikut europian. Duke qenë se sot paraqitja e jashtme është shumë e rëndësishme për një artist, kjo është një arritje për Anxhelën. Shpresojmë që pas kësaj fitoreje, Anxhela të marrë edhe çmimin e madh në festivalin europian.

(Kosova Sot Online)