Bebe Rexha e thotë troç, e ëma e urren këtë këngë shumë të njohur të saj

  • E.K /
  • 22 May 2021 - 13:41
Bebe Rexha e thotë troç, e ëma e urren këtë këngë shumë të njohur të saj

Në albumin e fundit “Better Mistakes”, Bebe Rexha shprehu emocoionet e saj më të thella, duke i treguar gjithë botës se kush është ajo në të vërtetë.

“Po pranoja veten siç isha dhe po mendoja ‘Kjo është ajo që unë kam kaluar, kjo jamë unë”, është shprehur Bebe në një intervistë për “Grammy.com” duke shtuar se në album ajo rrëfen gjithë luftën e saj më shëndetin mendor.

“Kur mora diagnozën se jam bipolare, e kisha ditur gjithë jetën se diçka nuk shkonte mirë me mua. Doktorët më thoshin gjithmonë ke ankth ose depresion. Pastaj kishte momente të tilla si për shembull kur shkoja në një festë, ku mund të përqafoja njerëz dhe t’i puthja, unë ndihesha e stresuar e në ankth dhe nuk mund ta bëja. Nuk mund as të bëhesha gati dhe falenderoja gjithmonë Zotin që kisha njerëz që më ndihmonin të bëhesha gati, sepse unë nuk mund ta bëja vetë.

"Nuk mund të dilja nga shtëpia. Pastaj kur mësova diagnozën time u mërzita dhe ndihesha disi e turpëruar. Sepse ka një stigmatizim pas shëndetit mendor dhe sëmundjeve mendore. Ndihesha e turpëruar për këtë shkak, por më pas vendosa që nuk do të ndihesha më kështu dhe nuk do viktimizohesha. Dhe kështu shkrova “Break my heart myself”, për të cilën njerëzit mendojnë se flet për dashurinë, por nuk flet për të”, është shprehur Bebe.

Më pas artistja me origjinë shqiptare ka folur edhe për seksualitetin fluid dhe pse vendosi të fliste pikërisht tani për të. Bebe ka treguar se tani ndihet shumë e lirë me veten dhe nuk shqetësohet aspak për mendimet e të tjerëve dhe ndaj vendosi të fliste hapur në lidhje me orientimin e saj seksual.

Gjithashtu Bebe ka treguar se nënës së saj, Bukurie Rexha, nuk i pëlqen fare kënga “Mama”, që është pjesë e albumit të ri.

“Mami im nuk e pëlqen ‘Mama’, sepse ajo më ka lindur mua në një moshë shumë të re. Ajo ishte 17 dhe ne u rritëm bashkë. Ajo ishte më shumë si motra ime dhe mendoj se për të gjëja më e vështirë me këtë album është se i merr gjërat shumë personale, veçanërisht kur unë flas për problemet e mia.

Asaj i duket sikur ka bërë diçka gabim. Ajo nuk e kupton se nuk ka të bëj me të, ajo ka bërë një punë shumë të mirë. Kisha frikë ta vendosja ‘Mama’ në album, sepse kam qenë shumë dramatike me këtë këngë duke thënë ‘Nuk i përkas parajsës, sepse kam shitur shpirtin tim njësoj si ty’.

Por ajo që unë po përpiqesha të thosha ishte se unë nuk jam perfekte dhe as ti mami nuk je. Ajo e urren këtë këngë”, ka treguar Bebe.

(Kosova Sot Online)