“Mjekët detyroheshin të më lidhnin”, Bujar Qamili rrëfen betejën e frikshme me COVID-19

  • G.G /
  • 05 June 2021 - 09:47
“Mjekët detyroheshin të më lidhnin”, Bujar Qamili rrëfen betejën e frikshme me COVID-19

Bujar Qamili ishte një nga personazhet e njohura që u prek nga Covid-19 dhe madje e kaloi sëmundjen në formën më të keqe. Këngëtari i njohur i muzikës qytetare kaloi në gjendje kome për disa ditë dhe eksperienca e tij ka qenë një nga më të vështirat.

Në një intervistë të dhënë së fundmi për emisionin “Rudina”, Qamili ka treguar se gjatë kohës që ishte në intubim u bë aq agresiv, sa mjekët janë detyruar t’i lidhin duart pasi dilte jashtë kontrollit. Këngëtari është shprehur se tashmë fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore, por atë që kaloi vetë nuk do t’ia uronte as armikut më të keq.

“Po ta tregoj, po s’kam qejf ta kujtoj më, por ka qenë një moment jashtëzakonisht i vështirë, një moment që është një shprehje shqiptare “armikut mos ia pafsha”. Kaq i rrezikshëm është e kaq keq kam kaluar, të paktën një muaj e gjysmë isha në gjendje shumë të rëndë dhe kam qëndruar për disa ditë me radhë në reanimacion, në gjendje kome derisa jam përmendur, por shansi i madh i imi ka qenë që mjekët italianë më kanë qëndruar pranë dhe më sollën edhe njëherë në jetë”, tha Qamili.

“Duket sikur i kemi dëgjuar shpesh ato shprehjet që thonë “ke me vdekë, po do të ringjallesh, do të vish edhe njëherë” e mua më duket, sinqerisht ma beso, më duket sikur kam ardhur”, tha ai.

(Kosova Sot Online)