Kim Kardashian thyen heshtjen, rrëfen se cila ishte arsyeja e vetme që e çoi drejt divorcit me Kanye West

  • G.G /
  • 11 June 2021 - 09:46
Kim Kardashian thyen heshtjen, rrëfen se cila ishte arsyeja e vetme që e çoi drejt divorcit me Kanye West

Familja Kardashian-Jenner po i jep fund serialit të tyre të famshëm dhe tashmë ato kanë nisur të rrëfejnë çdo gjë nga jeta e tyre personale. Së fundmi, Kim Kardashian ka treguar se cila ka qenë arsyeja që vendosi të zyrtarizonte divorcin e bujshëm me Kanye West.

“Asnjëherë nuk kam menduar se isha e vetmuar. Gjithmonë kam menduar se isha shumë mirë. Mund të kem thjesht fëmijët e mi dhe lëvizjet e bashkëshortit tim nga vend në tjetrin dhe unë jam në këtë rrugëtim me të. Dhe isha shumë në rregull me këtë gjë.

Por pasi bëra 40 vjeçe këtë vit, kuptova se jo. Nuk e dua një bashkëshort që jeton në një shtet komplet tjetër. Mendova ‘kështu shkojmë më mirë’, por më vonë kjo ishte e trishtueshme për mua. Dhe kjo nuk është ajo që dua”, i ka treguar Kim nënës së saj Kris Jenner.

Ndër të tjera ajo ka treguar se çfarë kërkon nga partneri i saj që do të ketë në të ardhmen.

“Unë dua dikë që të kemi të njëjtat mendime. Unë dua dikë që do të punojë me mua. Janë gjërat e vogla. Unë kam gjithë gjërat e mëdha. Kam gjithë ekstavagancën, çdo gjë që mund të kërkosh. Dhe jam shumë mirënjohëse për gjithë ato eksperienca, por mendoj se jam gati për eksperiencat e vogla, që mendoj se do të thonë shumë”, është shprehur ajo.

Kim ka shtuar se tashmë nuk do të nxitojë më në marrjen e vendimeve të mëdha apo ndryshimeve në jetën e saj dhe se dëshiron të punojë në përmbushjen e vetvetes.

(Kosova Sot Online)