Xhensila Myrtezaj jo më e rezervuar, poza hot dhe intimitet në plazh me Besin

  • G.G /
  • 14 qershor 2021 - 09:54
Xhensila Myrtezaj jo më e rezervuar, poza hot dhe intimitet në plazh me Besin

Sapo temperaturat rriten, VIP-at shqiptarë janë ata, të cilët nisin të postojnë foto nga plazhi me bikini apo edhe në pozicione të nxehta.

Këtij trendi nuk i ka shpëtuar as këngëtarja, Xhensila Myrtezaj, e cila, në fakt, njihet si më e rezervuar në këtë lloj ekspozimi. Por tashmë, pas këtyre fotove që ka realizuar, Xhensila nuk është më e rezervuar.

Ajo ka nisur këtë sezon të ri plazhi, duke postuar foto të nxehta me bikini, ku zbulon format e saj pas ushtrimit në palestër. Brenda albumit të fotove nuk mungon as Besi, i cili shihet me shpinë i zhveshur duke përqafuar në mënyrë intime me burrin e saj, tashmë si prindër.

“Lëre diellin ta ndriçojë shpirtin tënd”, ka shkruar Xhensila në anglisht poshtë përshkrimit të fotos, pasi ka lançuar dhe biznesin e saj të produkteve të bukurisë. Ndërkohë që Besi i është rikthyer televizionit, si moderator i spektaklit të humorit “Kosherja” së bashku me Jona Spahiun, Xhensila vazhdon përgatitjen për publikimin e këngëve të reja. Por le të kthehemi te marrëdhënia e tyre në çift dhe dashuria disavjeçare që u finalizua me martesë.

Së fundi, në një interviste me Alaudin Hamitin, Xhensila foli për njohjen me partnerin, por jo vetëm.

A ishte dashuri me shikim të parë ajo e çiftit? “Me shikim të parë jo, por dashuri me shikim të tretë, të katërt”, ishte përgjigjja e këngëtares.

Ajo la të kuptohej se durimi i Besit dhe zgjuarsia e tij bëri që Xhensila të jetë sot bashkëshortja e aktorit të njohur të humorit.

“Ai u tregua i zgjuar se e pa që në kokën time ishte diçka tjetër që kishte lidhje me muzikën, shkollën dhe nuk isha e hapur të pranoja një gjë të re në jetën time dhe Besi u afrua si shok dhe avash avash i la vend vetes për të qenë bashkëshorti im”,- u shpreh Xhensila.

Po si e bëri për vete Besi?

“Besi, përveç sensit të humorit, ka një sens të jashtëzakonshëm humanitar”,- tha këngëtarja, duke theksuar dy cilësitë më të pëlqyera të partnerit. E pyetur se sa kohë ka zgjatur nga njohja deri te lidhja, këngëtarja tha se ca gjëra nuk thuhen se ja ka paraqitur ndryshe familjarëve.

“Pak muaj pasi u bëmë shokë, u lidhëm. Mami ishte pro që ta kisha shok Besin se e shikonte që ishte i mirë”.

Me ardhjen në jetë të vajzës së tyre Ajka, Xhensila me Besin i kanë vënë vetes një qëllim, të rrisin një vajzë të mirë: “Po mundohemi ta rrisim Ajkën me shumë thjeshtësi e mos të paragjykojë, qoftë ai i bardhë, qoftë ai i zi, qoftë ai i pasur apo i varfër. Mundohemi ta bëjmë që të jetë një njeri i mirë dhe s’ka sesi të mos jetë e suksesshme,” u shpreh ajo.

Kur vjen puna te zgjerimi i familjes, Xhensila ka dëshirë që Ajka të ketë një motër: “Uroj që kur të vijë i dyti, të jetë i qetë. Unë do të doja e dyta. Tani është shumë shpejt, do presim të rritet vajza pak.

Deri sa t’i shpëtojmë pyetjes mami dua motër ose vëlla, do jemi të lirë. Unë e kam dashur shumë familjen e madhe. Dëshira është e madhe që të kem më shumë sesa dy fëmijë”.

Xhensila tregoi edhe propozimin për martesë në Kankun që i bëri Besi, që i shkoi huq! Kjo pasi një natë para propozimit, Xhensila pa një çift që po festonte celebrimin dhe Besi kishte planifikuar të bënte të njëjtën gjë një ditë më pas.

Kështu që, momenti i propozimit nuk ishte fare një surprizë. Çifti i bashkëshortëve, Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj, verën e kaluar hynë në rivalitet me projektet e tyre në muzikë, kush e kush të merrte më shumë vëmendje dhe klikime. Ata publikuan projektet e tyre të reja në muzikë, duke ftuar në duet partnerë të rinj, Xhensila me Ardian Bujupin dhe Besi me Anila Mimanin.

Bënte përshtypje fakti që në “Instagramet” e tyre ata nuk e mbështesin njëri-tjetrin me postime, duke u mjaftuar vetëm me projektet personale. E pas bujës që bëri Xhensila me këngën me titull “Panorama”, vëmendja u kthye te Besi dhe këngëtarja e hiteeve të viteve 2000, Anila Mimani.

Me siguri, kur dëgjoni vargjet “Ti më dukesh i mërzitur, nuk je më si në fillim”, ju shkon mendja menjëherë tek Anila Mimani, një prej këngëtareve më të njohura të viteve 2000, e cila rikthyer së fundmi në tregun muzikor shqiptar pas një shkëputjeje të gjatë.

Teksti është i shkëputur sigurisht nga kënga “Do digjesh zjarr”, një prej hiteve të asaj kohe, që tani është rikthyer për publikun shqiptar në një version të ri nga Bes Kallaku dhe vetë Anila.

Ky version i ri i publikuar mban emrin “Ciao po të lë” dhe, në fakt, nuk ndryshonte shumë nga kënga origjinale, të paktën në muzikë e ritëm. Edhe pse dukeshin më të përshtatur në atë që publiku shqiptar preferon, si një lojë në çift, pjesa e Anilës është e njëjta, me vargjet e famshme që i dinë shumica e shqiptarëve.

Ndërkohë, Besi është djali, të cilit Mimani i drejtohej në këngë, pra, ai që po lë. Besi, në stilin e tij personal me pak nota humori, i lutej që të mos largohej dhe i thoshte që të presë, ndërkohë që bën edhe një lidhje me Londrën.

Kjo nuk ishte kënga e parë shqiptare e viteve 2000 që ripërpunohet, megjithatë është e para e Anilës, duke e rikthyer këtë të fundit si protagoniste në treg. Ndërkohë që u tha se Besi i shpalli konkurrencë Xhensilës, duke pretenduar hitin e verës.

Nga ana tjetër, Xhensila Myrtezaj dhe partneri i saj për herë të dytë në muzikë, Ardian Bujupi, tërhoqën vëmendjen me klipin “Panorama”.

Dy vite më parë, Xhensila Myrtezaj dhe Ardian Bujupi publikuan projektin “Çika Çika”, që rezultoi sukses pasi numëron më shumë se 100 milionë klikime në “YouTube”.

(Kosova Sot Online)