Shemi: Bregoviqi thoshte se ka ardhur koha që Jugosllavia të mësojë edhe shqip

  • A.P /
  • 12 August 2021 - 20:35
Shemi: Bregoviqi thoshte se ka ardhur koha që Jugosllavia të mësojë edhe shqip

Këngëtari Shemsi Krasniqi, apo i njohur si Shemi nga grupi muzikor “Ilirët”, ka rrëfyer gjithë atë që i ndodhi në lidhje me Festën e Birrës në Korçë.

Ai ka treguar për reagimet e shumta që ka marrë shkaku i pjesëmarrjes së tij në këtë event, ku pas shumë këngëtarëve nga Kosova, edhe ai ka anuluar pjesëmarrjen si pasojë e pjesëmarrjes së këngëtarit nga Serbia, Goran Bregoviq.

Megjithatë, ai ka sqaruar qëndrimet e tij fillestare, kur deklaroi se këngëtari Bregoviq ishte mik i shqiptarëve.

“Në vitin 1983 ai e ka publikuar një këngë shqipe. Ka qenë mega-hit. Krejt Jugosllavia e ka kënduar dhe ne e kemi respektuar atë njeri se ka këndu shqip, dhe ka dalë e ka thënë se ka ardhë koha me i mësu disa fjalë shqip krejt Jugosllavia, e tash ai po del kriminel”, është shprehur vokalisti i grupit “Ilirët”.

Ai ka shtuar se nuk është i informuar se çfarë ka bërë Bregoviq viteve të fundit, por sipas tij, ai po përdoret si instrument për përçarjen e Kosovës dhe Shqipërisë. 

(Kosova Sot Online)