E shoqëruar nga Vjosa Osmani, Dua Lipa pritet të vlerësohet me çmimin e madh në SHBA

  • G.G /
  • 23 October 2021 - 10:02
E shoqëruar nga Vjosa Osmani, Dua Lipa pritet të vlerësohet me çmimin e madh në SHBA

Dua Lipa dhe fjala sukses janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Artistja shqiptare ka shënuar së fundmi një super arritje dhe na ka bërë krenarë si përherë.

Ajo është vlerësuar me çmimin e Lidershipit të Shquar 2021 në Këshillin Atlantik. Eventi do të organizohet me 10 Nëntor në Uashington, DC.

Dua do të vlerësohet për arritjet e saj të mëdha në karrierën muzikore, për angazhimin e saj në kauza të forta.

Po ashtu, Këshilli ka përmendur punën e Duas me fondacionin e saj Sunny Hill që synon të përmirësojë jetën në Kosovë.

Në njoftim thuhet se këngëtares do t’i bashkohet edhe presidentja e Kosovës, e cila do të mbajë një fjalim tepër të veçantë.

Kujtojmë se më herët Dua i është bashkuar thirrjeve për marshim para Konsullatës së Përgjithshme të Serbisë në New York për të kërkuar drejtësi për ata që janë dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ajo ka bërë apel për pjesëmarrje në nismën #RallyForHerJustice.

Kjo iniciativë kaq domethënëse është ndërmarrë nga deputetja Vafsije Krasniqi Goodman, e cila ka qenë vetë viktimë e kësaj dhune.

“Bashkojuni Vasfije Krasniqi-Goodman, në #RallyForHerJustice më 28 tetor në New York. Vasfije është një e mbijetuar dhe aktiviste e të drejtave të njeriut që e ka për mision mbrojtjen e të mbijetuarve në Kosovë dhe në botë duke kërkuar drejtësi për krimet e pandëshkuara gjatë luftës në Kosovë”, shkruan Dua në postimin e saj.

(Kosova Sot Online)