Dalin pamjet: Aeroplani i këngëtares që vdiq u rrëzua afër një ujëvare, përmendet një shkak

  • G.G /
  • 06 November 2021 - 10:58
Dalin pamjet: Aeroplani i këngëtares që vdiq u rrëzua afër një ujëvare, përmendet një shkak

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, ka publikuar fotografi të aeroplanit të rrëzuar, me të cilin po fluturonte këngëtarja e famshme braziliane, Marilia Mendonça. Në pamje shihet se aeroplani është rrëzuar afër një ujëvare.

Zyra për medie e këngëtares tashmë të ndjerë tha përmes një deklarate se të vdekur, përpos figurës së njohur, kanë mbetur edhe producenti Henrique Ribeiro, ndihmësi Abicieli Silveira Dias Filho si dhe piloti e ndihmëspiloti.

Aeroplani i vogël u nis nga qyteti Goiania për në Caratinga, ku këngëtarja kishte planifikuar që të mbante koncert të premten në mbrëmje, shkruan Reuters.

Shkaktari i rrëzimit të aeroplanit është duke u hetuar, por kompania shtetërore e energjisë, “Cemig”, tha përmes një deklarate se aeroplani u ngatërrua në një linjë distribuimi të energjisë, që ishte në pronësi të kësaj kompanie, para se të rrëzohej në tokë.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, tha se i tërë vendi është i shokuar nga lajmi për rrëzimin e aeroplanit, duke shtuar se këngëtarja Mendonça ishte njëra nga artistet më të mëdha të gjeneratës së saj.

(Kosova Sot Online)