Brit Awards bën ndryshimin drastik, Dua Lipa e fundit që fiton çmim si artistja më e mirë

  • G.G /
  • 23 November 2021 - 10:35
Brit Awards bën ndryshimin drastik, Dua Lipa e fundit që fiton çmim si artistja më e mirë

Dua Lipa dhe J Hus do të hyjnë në histori si yjet e fundit që fituan çmimin si artistët më të mirë femër dhe mashkull në Brit Awards. Kjo sepse, nga viti i ardhshëm, të dy kategoritë do të kombinohen në një çmim të vetëm për artistin më të mirë britanik, kanë thënë organizatorët.

Artistë si Sam Smith dhe Will Young kishin bërë thirrje më parë për ndryshimin, duke thënë se sistemi aktual përjashton artistët jobinarë (një spektër identitetesh gjinore që nuk janë ekskluzivisht mashkullore apo femërore). Smith, i cili është jo-binar, humbi një nominim në çmimet e këtij viti.

Albumi i tyre, Love Goes, arriti në vendin e dytë në tabelën në Mbretërinë e Bashkuar, por ata ndjeheshin të paaftë për të hyrë në kategoritë e bazuara në gjini.

Duke shkruar në Instagram në atë kohë, ylli bëri thirrje që shfaqjet e çmimeve të jenë më “reflektuese të shoqërisë në të cilën jetojmë”.

“Brit Awards kanë qenë një pjesë e rëndësishme e karrierës sime”, tha Smith në një postim tashmë të fshirë.

“Muzika për mua ka qenë gjithmonë për bashkim dhe jo për ndarje. Mezi pres një kohë ku shfaqjet e çmimeve mund të reflektojnë shoqërinë në të cilën jetojmë. Le të festojmë të gjithë, pavarësisht nga gjinia, raca, mosha, aftësia, seksualiteti dhe klasa”, u shpreh Smith.

Britanikët kanë dhënë çmime sipas gjinisë që kur filluan në vitin 1977. Organizatorët premtuan të rishikojnë mënyrën e ndarjes së çmimeve në vitin 2019, por kanë mbajtur të paprekura kategoritë e meshkujve dhe femrave deri më tani.

(Kosova Sot Online)