Don Xhoni në kurthin e njohjeve të “Instagram”-it, si evoluoi ngacmimi virtual me rusen në romancën e vitit

  • G.G /
  • 21 December 2021 - 08:18
Don Xhoni në kurthin e njohjeve të “Instagram”-it, si evoluoi ngacmimi virtual me rusen në romancën e vitit

Reperi Don Xhoni takohet më në fund me modelen ruse Ariana Lirey, me të cilin e nisi njohjen në rrjetin e “Instagram”-it dhe tashmë ndodhen në një nga resortet luksoze të Dubait. 

Ashtu siç ndodh me njerëzit e zakonshëm, edhe reperi nga Kosova që mori famë brenda një kohe të shkurtër, ka rënë pre e njohjeve virtuale, me modelen, me të cilën kanë kohë që flasin dhe më në fund janë takuar. Pas një kohe të gjatë të ngacmimeve në distancë, takimi më në fund ka ndodhur.

Reperi është bërë bashkë me modelen ruse, Lirey, e cila në rrjetet sociale prej kohësh është shprehur e gatshme mes të tjerash edhe për të mbajtur mbiemrin e tij. Takimi ka ndodhur në Dubai, meqenëse Don Xhoni nuk mund të shkojë fizikisht në Moskë, ndonëse me muzikën e tij ka depërtuar prej kohësh. E gëzuar nga takimi, Ariana në fotografinë jashtë “Armani Hotel” në Dubai është shprehur: “Faleminderit që ekziston, dashuria ime! Të dua bulochka [bukë ruse] im i madh!”.

Ata janë prezantuar si një çift i dashuruar dhe mbrëmjet po i kalojnë siç kalohen netët tipike në Dubai, duke darkuar në restorante luksoze. Më pas kanë shijuar bukuritë e Dubait, dhe xhirot e një Lamborghini luksoz, të cilin e nget pikërisht Don Xhoni.

Por në takimin e tyre të parë nuk mungojnë dhuratat. Si dhuratë dedikuese, modelja ruse i dhuroi reperit nga Drenica një çakmak ngjyrë ari ku të gdhendur sipër tij ka premtimin “Përgjithmonë bashkë!”.

Ariana Lirey ka treguar publikisht herë pas here se ajo jo vetëm e adhuron reperin shqiptar, Xhonatan Isufi, i njohur si Don Xhoni, por ka arritur dhe ta bëjë për vete. Para pak kohësh ajo bëri tatuazh portretin e këngëtarit dhe ua tregoi këtë të gjithë ndjekësve në rrjetet e saj sociale. Mirëpo, duket se marrëdhënia e tyre është forcuar gjithnjë e më shumë.

Para pak kohësh modelja seksi zbuloi një detaj tjetër që ngriti dyshimet se ajo dhe Don Xhoni 21- vjeçar, ishin në një lidhje dashurie. Në një postim në “Instastory”, ajo shkruante “Ariana Isufi”, duke përdorur kështu mbiemrin e reperit, emri i vërtetë i të cilit është Xhonatan Isufi. Më pas, në një tjetër postim, ajo ndau fotografinë e këngëtarit dhe krahas saj shkroi: “I preferuari i nënës sime”.

Asnjëri prej tyre s’foli publikisht rreth atyre thashethemeve, por dedikimet romantike ndaj njëri-tjetrit, tregonin se reperi dhe Ariana po përjetonin një lidhje dashurieende pa u takuar. Kur modelja publikoi një foto në “Instagram” me mbishkrimin: “Zonja Isufi”, ai i komentoi: “BABUSHKAAAAAAA”, shoqëruar me një emoji zemre.

Ndërsa zeshkania ia ktheu: “Ti je jeta ime”. Më pas shkruante “Je gjithmonë me mua”. 

NGA MARRJA E MBIEMRIT XHONI TE PLANI PËR FËMIJË, SI PO I NDRYSHON JETA REPERIT NË MOSHËN 21-VJEÇARE

Këngëtari Don Xhoni dhe modelja ruse, Ariana Lirey, prej kohësh kanë ngritur dyshimet që janë në një lidhje dashurie, por veprimi i muajve të fundit i Arianës habitur të gjithë fansat e tyre. Modelja seksi publikoi ditën e djeshme në llogarinë e saj në “Instagram” disa foto të vetes, në të cilat shfaqej e veshur me fustan të bardhë nusërie dhe mbante në kokë një vello të gjatë.

Mes komenteve të shumta nuk kishte si të mungonte edhe ai i reperit, i cili i shkroi: “Dua të them thjesht wow”. Ndërkohë, Ariana ia ktheu: “Don Xhoni, të pëlqen ky?”. 

Para pak kohësh, ata shkëmbyen disa komente dashurie me njëri-tjetrin në “Instagram”. Pasi pak muaj më parë, Ariana ndryshoi edhe mbiemrin e saj nga Lirey në Isufi (mbiemri i Don Xhonit), ajo gjithashtu gdhendi në trup portretin e këngëtarit, të cilin Xhoni e cilësoi si “dhuratën më të mirë nga personi më i mirë”. Por nuk mbetën me kaq, pasi komentet e tyre avancuan shumë më shumë javë pas jave. Reperi Don Xhoni dhe modelja ruse Ariana Lirey ngritën dyshimet se po bëheshin prindër për herë të parë.

Ndonëse nuk e pranuan publikisht, ata kishin nisur një lidhje në distancë dhe gjërat mes tyre po ecnin me hapa të shpejtë. Ndërkohë, para se të takoheshin modelja publikoi në llogarinë e saj në “Instagram” një foto të re, në të cilën shihej e veshur me bikini të bardha dhe me një kimono ngjyrë jeshile lart. Ajo që tërhoqi vëmendjen, ishin komentet që Doni shkëmbeu me modelen. 

“Mamaja më e mirë”, i komentoi reperi, ndërkohë, Ariana ia ktheu “babai i ardhshëm”. Kjo i bëri fansat të dyshonin se gjërat mes tyre jo vetëm janë bërë serioze, por tashmë po planifikojnë të bëhen prindër për herë të parë. Artisti i ri nga Drenica, Don Xhoni, u bë i famshëm brenda natës gjatë karantinës, kur u prezantua me një free style në emisionin “Gjoni Black”.

Nga shumë pak ndjekës në “Instagram”, ai sot numëron afër 200 mijë ndjekës për një periudhë shumë të shkurtër. Por çfarë vjen pas kësaj fame, me kë do të bashkëpunojë ai, kush po e menaxhon atë, cilat janë planet e tij dhe shumë gjëra të tjera rreth Don Xhonit, ai i ka rrëfyer në intervistën e parë për emisionin “NIN”.

Po kush është Don Xhoni, fenomeni i ri në muzikë? Ai këndon kryesisht hip-hop dhe tashmë ka hyrë fuqishëm në konkurrencën e tregut muzikor. Më datë 5 tetor 2018, Don Xhoni publikoi videoklipin “Jena me ekip”, me tekst të shkruar nga vetë ai. Në qershor 2019, ai publikoi videoklipin “Ajo don”, me tekst të shkruar nga vetë ai dhe produksion të KMaster.

Tashmë, Don Xhoni po përpiqet të menaxhojë si duhet famën brenda natës. Kujtojmë që shumë emra të njohur të muzikës gjatë periudhës së karantinimit ndërprenë aktivitetet e tyre muzikore, për shkak të coronavirusit. Por reperi Don Xhon, shpërtheu në atë periudhë të vështirë. Ai u bë i famshëm falë paraqitjes së tij në emisionin “Gjoni Black”, ku tregoi aftësitë e tij si reper.

Me të publikuar videon në rrjetet sociale, interpretimi i tij filloi të shpërndahet me të madhe dhe rap-artisti deri më tani ka kaluar shifrën e 120 mijë ndjekësve në rrjetin social “Instagram”. Talenti i ri i muzikës rap ka premtuar se do të punojnë shumë që të aktivizohet në vazhdimësi dhe të sjellë projekte të reja. E ndonjëherë për të depërtuar në tregun muzikor mjafton vetëm një ‘beat’ dhe një tekst i goditur.

Këtë na e ka vërtetuar më së miri Don Xhoni, që mori famë pas ‘freestyle’ të tij të famshëm në emisionin e Meriton Mjekiqit, që theu shumë rekorde dhe i dha atij një vend direkt në industrinë e muzikës. Nëse do e quanim si “njishi i freestyle-ve”, nuk do e tepronim aspak. Disa muaj pasi bëri namin e pas disa projekteve muzikore, në dhjetor Don Xhoni u rikthye në studion e Meritonit sërish. Dhe sërish bëri namin.

Ky freestyle është bërë viral edhe në “TikTok”, muzika e të cilit po përdoret nga e gjithë bota për realizimin e videove me kërcimin karakteristikë për këtë këngë. Sekuenca në profilin origjinal të postuar për herë të parë tejkaluan 4 milionë shikime dhe mbi disa qindra mijëra pëlqime. Sakaq, inserti është postuar nga pafund profile teksa trendi vijonte të ishte në rritje. Surpriza e vërtetë erdhi menjëherë. Faqja e famshme “Ellen tv show”, faqja e emisionit të Ellen DeGeneres shpërnau këtë video në profilin e saj.

Kjo faqe numëronte mbi tre milionë ndjekës dhe kjo ishte super arritje për Donin, që po depërton në industrinë ndërkombëtare. “E dua këtë, etiketoni dikë që duhet ta dëgjojë”, është shkruar në përshkimin e videos. E nuk ishte faqja e vetme, pasi shumë të famshëm ndërkombëtarë u fiksuan keq pas Don Xhonit.

Ndërkohë, me prezantimin si i dashuri i modeles ruse, pritet një tjetër famë e tij në Rusi. Ndërkohë që nga dita që modelja mori mbiemrin e tij Xhoni, dhe plani për të sjellë në jetë fëmijën e tyre janë fakte të pakundërshtueshme se si po i ndryshon jeta private Xhonit, edhe pse është ende një 21-vjeçar.

(Kosova Sot Online)