Hajnat e bëjnë ‘qyl’ shtëpinë e këngëtares Adelina Berisha, vjedhin mijëra euro e stoli ari

  • E.K /
  • 29 December 2021 - 08:30
Hajnat e bëjnë ‘qyl’ shtëpinë e këngëtares Adelina Berisha, vjedhin mijëra euro e stoli ari

Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, banesat e shtëpitë e këngëtarëve kosovarë, të cilët jo rrallëherë i publikojnë ato në rrjete sociale.

Një rast i vjedhjes së rëndë u krye edhe në shtëpinë e këngëtares, Adelina Berisha. Sinjali ka mësuar se çka u vodh në shtëpinë e saj dhe ju sjell detajet.

Prokuroria ka bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, rreth orës 01:30, në rrugën “Shaip Kamberi” të kryeqytetit,

Hajnat arritën të hyjnë në shtëpinë e këngëtares Adelina dhe të vjedhin para e stoli ari. Rastin e vjedhjes e denoncoi artistja në Polici, ku edhe kanë dhënë deklaratën e saj për këtë rast.

Të njëjtat burime nga Prokuroria kanë njoftuar se nga shtëpia e saj u vodhën rreth 10 mijë euro, si dhe stoli të arit, vlera e të cilave nuk dihet.

Pas deklaratës së dhënë para hetuesve, prokurori kujdestar ka dhënë urdhër që ky rast të iniciohet si “vjedhje e rëndë” dhe të nisin hetimet për kapjen e të dyshuarve.

Kujtojmë se më parë, saktësisht në vitin 2016, këngëtares Adelina Berishës i  është djegur vetura, ku një person kishte thyer xhamin e veturës me gurë dhe kishte hedhur benzinë.

(Kosova Sot Online)