Pavarësisht luftës, Rusia do të konkurrojë në Eurovision!

  • A.P /
  • 25 February 2022 - 16:09
 Pavarësisht luftës, Rusia do të konkurrojë në Eurovision!

Rusia ka pushtuar Ukrainën dhe e gjithë bota është shqetësuar, megjithatë kjo nuk duket si diçka që do ta pengojë Rusinë që të marrë pjesë në festivalin e famshëm “Eurovision” që këtë vit do të mbahet në Itali.

Organizatorët e Eurovizion e cilësuan konkursin si një “ngjarje kulturore jo politike” dhe treguan se momentalisht po presin pjesëmarrësit nga Rusia dhe Ukraina, në muajin Maj.


“Ne sigurisht që do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën”, shtuan ata.

Për një pjesë të mirë të publikut, kjo është diçka e padrejtë mirëpo vendimi nuk është në dorën e qytetarëve.

Këtë vit, Shqipëria do të përfaqësohet në “Eurovision” nga këngëtarja Ronela Hajati.

Kënga me titullin “Sekreti” dhe me të cilën do të përfaqësojë Shqipërinë në Torino të Italisë në 2022, po bën namin në YouTube.

Këngëtarja e njohur, nuk po brohoritet vetëm nga fansat e kombit, por tashmë edhe nga të huajt. Artistja ka postuar së fundmi në Instastory, një foto ku tregohet se kënga e saj është renditur në treshen e këngëve më të dëgjuara të “Eurovision”-it.

Sipas fotos që Ronela kishte postuar, kjo është hera e parë në histori ku Shqipëria arrin këtë rekord.

“Për herë të parë në histori, Shqipëria është në vendin e tretë për shikueshmërinë më të lartë në faqen zyrtare të ‘Eurovision’-it në YouTube. Urime.”- shkruhet në foton e postuar nga Ronela Hajati.

(Kosova Sot Online)