Arrestimi i Elsa Lilës, reagon Gjergj Leka: Për mua thoshin shet armë në Kosovë. Në Romë, Elsa ka pasur probleme

  • E.K /
  • 19 March 2022 - 16:52
Arrestimi i Elsa Lilës, reagon Gjergj Leka: Për mua thoshin shet armë në Kosovë. Në Romë, Elsa ka pasur probleme

Arrestimi i këngëtares Elsa Lila në Itali ka bërë bujë në vendin tonë duke u shoqëruar dhe me reagime të shumta nga persona publikë që e kanë ‘kryqëzuar’ artisten.

Por kjo temë ka zbuluar dhe një histori të panjohur të kantautorit shqiptar Gjergj Leka.

Duke folur në emisionin “Arnautistan” në MCN TV, lidhur me përgjegjësinë që ka një artist për imazhin publik, ai ka treguar sulmet që i janë bërë pas deklaratave në media.

“Ka qenë një periudhë që u morën gazetat me mua 24 orë në ditë se thashë në kohën time filan këngëtare ka qenë ndër të përkëdhelurat. E mora me sportivitet, mu mërzitën më shumë familjarët. Mbaja mend një shprehje të Pipo Baudos, ruaju ditës që s’do shahesh më, s’do flasin më, sepse do dalësh në pension, sepse do të thotë që s’ta kanë as frikën as nevojën”.

Leka tregoi se kur i ndjeri Sokol Olldashi ishte ministër i tregoi se shokë të tij kishin dërguar letra, ku pretendohej se kantautori shiste drogë apo dërgonte armë në Kosovë.

“Jam i bindur që nëse do gaboja edhe më pak se Elsa Lila, mua do më copëtonin. Sepse i kam ndjerë në kurriz. Kur kam ardhur këtu Sokol Olldashi ishte ministër edhe më tha: ta dish ça letrash kanë ardhur këtu për ty, ti se beson. Unë shisja drogë në Itali, kisha çuar armë në Kosovë në kohën e luftës. Janë shokë të tu tha! Ne prandaj nuk ecim përpara, sepse ne nuk duam njëri-tjetrin. Kam pasur probleme me televizionet ku kam qenë dikur, ku më thoshin ke dashnoren time merre bëje këngëtare. Unë se bëj dot atë. Preferoj të bëj gjërat që i bëj vetë. Jam i lirë pa paguar asnjë kosto”, tha ai.

Kantautori Leka i konsideroi si të turpshme reagimet mbi Elsa Lilën pas arrestimit të këngëtares në Itali, ndërsa theksoi se kolegët dhe artistët duhet t’i gjenden pranë.

Leka u shpreh se Elsa Lila ka pasur një jetë të vështirë në Itali. Ai theksoi se nëse ka gabuar do të vuajë pasojat, por shtoi se artistë të mëdhenj kanë bërë gabime të mëdha.

“Është e turpshme. Pa ia dhënë sentencat Italia, ia dhamë neve. Më bëri përshtypje mllefi. Një njeri që gabim do paguajë konseguencat. Të hedhësh baltë te një njeri…Nuk e kam pasur mike. Kam pritur reagimin e kolegëve të mi që kanë punuar me Elsa Lilën, institucione që e kanë shfrytëzuar emrin e Elsa Lilës, ku janë këto njerëz. Ndonjë prej atyre edhe ka reaguar keq, ‘nuk e prisja nga Elsa’! Dikush nxjerr lekët, armët në klipe, ato nuk i arreston kush, ato duhen dënuar me ligj. Më flasin ca që i kanë provuar të gjitha, kokainë, heroinë, hashash…Unë s’e besoj kurrë me aq sa e kam njohur Elsa Lilën, këtë ‘llogaritaren e rrezikshme’, apo që ka kohë se merret me këtë gjë.

Një njeri që merret për një kohë të gjatë do vinte në evente në Shqipëri?! Në grevën e urisë, te Voice, kishte nevojë për lekë prandaj erdhi?! Ato që e shajnë nuk e dinë çfarë ka hequr. Fëmijën ia kanë marrë qendrat sociale. Por edhe nëse dënohet, kaq të gëzuar do jemi ne pse dënohet një artiste me kaq vlera. Unë e kam bindje që ai që ka talent, gabon më shumë se i patalentuari, e ka treguar koha. Kjo vërsulja pse? Ta vlerësojmë për artisten që është dhe të presim çfarë do ndodhë”.

Mund të jetë mpleksur me ndonjë djalë çapkën dhe për dashuri gabohet. Nëse ka gabuar do vuajë konseguencat. Por ne na takon të jemi gjykatës të një personi publik që na ka dhuruar muzikë të bukur. Kaq pa zemër paskemi qenë ne! Kaq kritikë, të merremi me të tjerët. Elsa në Romë me sa di unë s’ia kalonte edhe aq mirë. Mendoj që kanë ndikuar problemet familjare që ka pasur Elsa. Artisti nëse s’ka në rregull zemrën, nuk mund të… Ajo që shikoj me dhimbje është çfarë do ndodhi me Elsa Lilën pas kësaj ngjarje. Sepse eksperienca ka treguar që kur ndodhin gjëra të tilla karriera shuhet përgjithmonë dhe kjo s’më vjen mirë”, tha Gjergj Leka.

(Kosova Sot Online)