Skandali më i madh në historinë e çmimeve Oscar/ ‘Djalli vjen kur...’

  • E.K /
  • 28 March 2022 - 12:12
Skandali më i madh në historinë e çmimeve Oscar/ ‘Djalli vjen kur...’

Ceremonia e çmimeve Oscar u trondit nga ai që po vlerësohet si skandali më i madh në historinë 94-vjeçare të çmimeve më të larta në kinematografi.

Aktori Will Smith u ngjit në skenë dhe goditi me shuplakë prezantuesin Chris Rock, pasi ky i fundit po tallej me gruan e Smith. 53-vjeçari u ngjit në skenë dhe goditi komedianin, i cili sapo kishte bërë një batutë për kokën e rruar të gruas së Smith, Jada Pinkett Smith. Jada ka disa vite që vuan nga rënia e flokëve dhe duket se Will Smith nuk e pranoi një shaka të tillë.

Pasi e goditi, Smith iu drejtua sërish Rock-ut me fjalët: “Mos e përmend fare gruan time”.

Kur iu dorëzua çmimi si aktori më i mirë, për interpretimin e Richard Williams, babait të kampioneve të tenisit, Venus dhe Serena Williams, në filmin “King Richard”, Will Smith kërkoi falje për gjestin e tij, por jo ndaj Chris Rock. “I kërkoj ndjesë të pranishmëve në sallë dhe kolegëve të mi. Dashuria të bën që të bësh çmenduri”, tha Smith.

Ndërkohë aktori Denzel Washington, fitues dy herë i çmimit Oscar, iu afrua Smith për ta qetësuar pas skandalit.

Mësohet se ai i ka thënë: “Trego kujdes në momentin tënd më të lartë... pikërisht atëherë djalli vjen për ty”.

Nga ana tjetër mësohet se janë shtuar thirrjet që aktorit Will Smith t’i hiqet çmimi Oscar.

(Kosova Sot Online)