A do i hiqet Will Smith-it çmimi “Oscar”? Sot merret vendimi, ja skenaret e mundshme

  • G.G /
  • 08 April 2022 - 10:25
A do i hiqet Will Smith-it çmimi “Oscar”? Sot merret vendimi, ja skenaret e mundshme

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit pritet të vendosë sot nëse Will Smith do t’i hiqet çmimi Oscar që fitoi si “Aktori më i mirë” pasi goditi komedianin Chris Rock. Megjithatë duket se ata që do marrin këtë vendim janë të ndarë.

Bordi i përbërë nga 54 anëtarë të organizatës do të marrë një vendim përfundimtar, por po hasin në vështirësi në arritjen e një konsensus dhe janë tërësisht të ndarë në vendimet e tyre, sipas The Sun.

Shumë thanë se hezitimi i tyre për të ndërmarrë një hap kaq drastik ndaj Smith lidhej me faktin se figurave si Harvey Weinstein dhe Roman Polanski, të akuzuar për abuzime seksuale, nuk u janë hequr çmimet Oscar.

“Konsensusi i përgjithshëm është se do të ishte çmenduri dhe hipokrizi për të marrë një qëndrim të tillë tani. Por, siç e dimë të gjithë, Hollywood është një ligj më vete.”- ka thënë burimi për median prestigjoze.

Thuhet po ashtu se edhe 9,000 anëtarët e akademisë janë të mendimeve të ndryshme. Diskutimi po vazhdon në ‘qindra’ grupe WhatsApp të përbërë nga mijëra anëtarë.

David Rubin, presidenti i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit zhvendosi  një takim të planifikuar fillimisht për 18 prill në këtë të premte në orën 9 të mëngjesit.

Bordi ka menduar disa dënime që mund t’i japë. Ata mund të përjashtojnë Smith nga nominimet për çmimet e ardhshme ose ta ndalojnë atë të marrë pjesë në ceremonitë e ardhshme përkohësisht ose përgjithmonë.

Ata gjithashtu mund t’i heqin atij çmimin e Akademisë për “Aktorin më të mirë”, megjithëse hera e fundit që bordi anuloi një çmim ishte më shumë se 50 vjet më parë.

Akademia ka anuluar vetëm një Oskar. Në vitin 1969, u zbulua se dokumentari Young Americans, i cili fitoi çmimin për “Dokumentarin më të mirë atë vit”, ishte publikuar në vitin 1967.

Smith dha dorëheqjen nga Akademia të premten, duke i quajtur veprimet e tij gjatë ceremonisë ‘tronditëse, të dhimbshme dhe të pafalshme’ dhe duke shtuar se ai do të pranonte çdo ndëshkim që do t’i jepej nga bordi.

(Kosova Sot Online)