U shfaq duke thirrur ezanin në xhami, Mc Kresha: Në fillim kisha turp

  • E.K /
  • 02 May 2022 - 12:13
U shfaq duke thirrur ezanin në xhami, Mc Kresha: Në fillim kisha turp

Reperi i dashur për publikun shqiptar, Mc Kresha, është filmuar së fundi në një xhami në Mitrovicë duke thirrur ezanin, në këtë muaj të shenjtë për të gjithë besimtarët myslimanë, muajin e Ramazanit.

Mëngjesin e sotëm, Mc Kresha ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Wake Up” në Top Channel, ku tregoi se ka agjëruar dhe kjo është “një mrekulli medicinale. Trupi e shpirti bëhen një”.

E pikërisht për këtë, sipas Kreshës, besimtarët myslimanë mërziten kur ikën muaji i shenjtë i Ramazanit.

“Shpresoj që Allahu, krijuesi i gjithësisë na e ka pranuar agjërimin. Shpresoj deri në Bajramin tjetër të jemi më ë mirë, më të lumtur”, tha reperi i njohur.

Ndërsa i pyetur se si i shkoi ftesa për të thirrur ezanin dhe nëse e pranoi direk apo mendoi për këtë, Mc Kresha tha:

“Kisha pak turp në fillim. Për mua ishte një privilegj, që nuk u vjen të gjithëve. Ishte për faljen e mbrëmjes. Njëra prej netëve të faljes”.

Reperi shtoi më pas se “agjërimi është 100 për qind për krijuesin e gjithësisë”.

Po çfarë thanë besimtarët kur dëgjuan atë duke thirrur ezanin?

“Shoku im që më kërkoi, më tha më pëlqeu se kishe emocione dhe e bëri të veçantë. Ishte hera e parë që e thërrisja në masë, në xhami. Shpirtërisht jam ndjerë si asnjëherë më parë”, përfundoi Kresha.

(Kosova Sot Online)