Si po i marrin këngëtarët nga ‘15-20 mijë euro’ në natë!

  • A.P /
  • 02 June 2022 - 15:39
Si po i marrin këngëtarët nga ‘15-20 mijë euro’ në natë!

Shumat ‘përrallore’ për standardet e jetës në Kosovë, me të cilat paguhen këngëtarët e estradës, kanë mospërputhje e diskrepancë me shumën sa paguajnë tatim shtetit.

Reperi 2po2 së fundmi në një prononcim dha një deklaratë, duke zbuluar diçka jo që nuk dihet prej kohë më parë, por që shndërrohet në temë menjëherë pasi përmendet në mënyrë kaq të detajuar nga dikush me influencë, siç e bëri pështyesi i rimave "shumë talent, pak lekë, i përzin del HIT. Pak talent, shumë lekë, i përzinë del SH*T. Ose osht edhe kjo formula dajë e nip, shumë talent, shumë lekë, i përzin del MEGA MEGA HIT", në këngën “Mega, Mega”, të cilën e ka në bashkëpunim me nipin e tij, Capital T.

“Një numër i caktuar janë të lidhur shumë me grupe kriminale. Shikoni luksin e tyre. Këngëtarët thonë se kanë koncerte. Gënjejnë. Nuk ka pasuri aq në Kosovë sa të kenë atë pasuri. Shikoni pasurinë e tyre. Shikoni udhëtimet e tyre. Janë të lidhura ngushtë me grupe kriminale. Një pjesë e këtyre shërbejnë si logjistikë e grupeve kriminale. Ajo pasuri të cilën ata e shfaqin nuk ka gjasa të gjenerohet prej atij aktiviteti komercial. Nuk ka teori. Nuk ka gjasa”, tha analisti në ‘Pressing’ për të marrë përgjigjen nga 2po2, i cili u shpreh:

“Ndoshta profesori nuk është në dijeni për fitimet e reperëve. Disa i marrin nga 15 deri në 20 mijë euro për një koncert.”

Sa i paguajnë tatim shtetit këngëtarët?

Epo, nëse ajo që thotë 2po2 del të jetë e saktë, këngëtarët që paguhen nga 15-20 mijë euro për një natë, janë të detyruar të paguajnë 10% tatim, që i bie në rastin e këngëtarit që e përmend 2po2, 1500 deri në 2000 euro.

Ne Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) tregojne se sa i paguajnë tatim shtetit këngëtaret që përfitojnë shumë.

“Në rast kur shuma e të ardhurave kalon pragun prej 30 mijë eurove, detyrohen të paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar prej 18%”, tregoi ATK-ja.

Së fundmi, ATK-ja ka filluar zbatimin e projektit për industrinë e Akomodimit dhe Shërbimit Ushqimor (gastronomi/hoteleri). Bazuar në të dhënat e përmbushjes gjatë vitit 2021, kjo renditet si njëra ndër industritë me nivel të lartë të mospërmbushjes së detyrimeve tatimore, andaj edhe është pjesë e planeve specifike të përmbushjes për grupet e identifikuara me rreziqe të larta për vitin 2021, gjithnjë sipas ATK-së.

Ndër problemet më specifike të dala nga sistemet dhe modulet e ndërtuara përbrenda ATK-së, të cilat kanë kontribuar në këtë përzgjedhje të trajtimit të kësaj industrie, janë: pagesa përgjithësisht të ulëta me një kontribut të vogël në të hyra,  pavarësisht numrit të madh të tyre; mosdeklarimi i punëtorëve dhe pagesa cash e tyre; mosdeklarimi apo nëndeklarimi i ahengjeve dhe mosmbajtja e evidencave lidhur me këngëtarët gjatë mbrëmjeve muzikore; moslëshimi i kuponëve fiskalë; pagesat po ashtu në cash të realizuara në mes të  konsumatorëve dhe bizneseve gjatë organizimit të ahengjeve të ndryshme; si dhe mosmbajtja e tatimit në qera apo nëndeklarimi i saj.

Nëse flasim për vitin 2021, tatimpagues aktivë deri më 31 dhjetor kanë qenë 598 këngëtarë, 278 prej të cilëve kanë paguar tatim në vlerën totale prej 423,720 euro.

Për vitin 2022, sa i përket periudhës janar-prill, janë regjistruar në total 123,634 euro nga tatimpaguesit për ATK.

Këngëtarët ishin të zëshëm gjatë kohës së pandemisë me kërkesat e tyre që të lirohen masat anti-Covid, virus i cili po shkaktonte vdekje nga e majta në të djathtë, për të ushtruar veprimtaritë e tyre nga të cilat shteti dëmtohet me shuma enorme.

(Kosova Sot Online)