Kush ishin yjet botërorë që Dua Lipa i solli në Prishtinë me Sunny Hill?
Festivali “Sunny Hill”, që mblidhte në Prishtinë mijëra njerëz dhe artistë të ndryshëm me famë në mbarë botën, sivjet nuk do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës. Organizatorët u tërhoqën pasi u shprehën të dëshpëruar me zvarritjet e procesit të marrjes së një toke prej 17 hektarësh për shfrytëzim lidhur me këtë ngjarje.
Paraprakisht, Komuna e Prishtinës u pajtua t’ia japë “Sunny Hill” tokën prej 17 hektarësh në Bërnicë të Prishtinës, por çështja ngeci në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila duhej ta vlerësonte ligjshmërinë e kontratës.
Organizatori dhe themelues i “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa publikoi në rrjetin social “Facebook” një letër të cilën tha se ia kishte dërguar Presidentes Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti, Ministrave Elbert Krasniqi dhe Hajrulla Çeku, kryediplomates Donika Gërvalla – Schëarz dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Në këtë letër, Lipa kishte përmendur që gjatë dy sezoneve që është mbajtur festivali “Sunny Hill”, kanë përformuar artistët më të njohur të muzikës së kohës sonë.
Sezoni i parë i “Sunny Hill Festival” u mbajt në muajin gusht të vitit 2018, më saktëisht prej datës 10 gusht deri më 12. Ndërsa, sezoni i dytë i këtij festivali u mbajt në gusht të vitit 2019.
Përgjatë dy sezoneve festivali ishte mbajtur në Parkun e Gërmisë, teksa kujtojmë se për shkak të masave për parandalimin e pandemisë COVID-19 gjatë dy viteve 2020/21 nuk ishte mbajtur festivali, për t’u rikthyer këtë vit në një lokacion tjetër. Fillimisht, ishte përmendur se festivali do të mbahej në Shkabaj, ndërsa më pas Komuna e Prishtinës u pajtua që t’ia japë për shfrytëzim tokën prej 17 hektarësh në Bërnicë, gjë e cila ngeci.
“Me Sunny Hill Festival, në Prishtinë krijohet një moment i ri kulturor, ku shteti më i ri në Evropë sjell emrat më të njohur të muzikës së kohës sonë, në kryeqytetin më të izoluar në Evropë.
Prishtina ishte nikoqire e disa prej emrave më të mëdhenj botëror të muzikës, duke përfshirë Miley Cyrus, Dua Lipa, Calvin Harris, Martin Garrix, Action Bronson, dhe dhjetëra artistë të huaj e vendorë të cilët bëhen bashkë, krijojnë sinergji dhe e bëjnë të mundur që Kosova të bëhet trend ditor global në dhjetëra shtete të ndryshme të botës.”
Ndërsa, deri para pak ditësh ishin bërë publike disa emra që do të përformonin këtë vit në Prishtinë e që tashmë do të përformojnë në Tiranë.
Pjesë e kësaj liste ishin artistët e njohur si: Skepta, AJ Tracey, Diplo, Burak Yeter, Mahmood, DJ Regard, Kamal dhe Romeo Blanco.
(Kosova Sot Online)