Puthje dhe përqafime para 18 mijë vetave! Noizy kujton 'armiqësinë me Stresin

  • G.G /
  • 17 August 2022 - 12:05
Puthje dhe përqafime para 18 mijë vetave! Noizy kujton 'armiqësinë me Stresin

Përqafimi i Rigels Rajkut dhe Arkimed Lushës para 18 mijë vetave, konsiderohet një ngjarje e madhe në hip-hopin shqiptar.

Noizy dhe Stresi performuan krah njëri-tjetrin në “Alpha Show” më 14 gusht në sheshin Nënë Tereza, në skenën ku 13 vite më parë ishin zënë me njëri-tjetrin.

Sot reperët duket se janë bërë shok të mirë, duke mbështetur dhe u takuar me njëri-tjetrin.

Mirëpo vite më parë grupet e tyre OTR dhe TBA ishin në konflikt të vazhduar dhe reperët nuk ia kursenin diss-et dhe sherret e përgjakshme njëri-tjetrit.

Së fundmi në një intervistë për “Euronews Albania” i pyetur për “armiqësinë” me Stresin, Noizy i vuri fajin moshës. Ndër të tjera reperi u shpreh se nuk ia uron asnjë të riu atë sjellje, sepse është turp.

“Muzika hip-hop është e ndërtuar me këto zënka. Kemi qenë 20 vjeç, tani jam 35 dhe nuk mendoj që është e bukur të shohësh burra duke u zënë për muzikë. 100% ishte mosha. Nuk e besoj që kam qenë unë ai person atëherë. Mendoj që ka qenë një tjetër person. Është një kohë e gjatë dhe nuk ja uroj asnjë artisti, asnjë të riu të përfundojnë gjërat kështu. Nuk do të doja t’i kisha këto gjëra në biografinë time. Është turp,”-shprehet Noizy.

(Kosova Sot Online)